Prizren: Përfitime personale përmes keqpërdorimit të pronës publike

Lajme

Prizren: Përfitime personale përmes keqpërdorimit të pronës publike

Më: 22 tetor 2014 Në ora: 17:04

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prizren mbajti sot konferencë për media, ku folën asambleistët Drita Mullaku dhe Arbër Rexhaj.
Kohëve të fundit kemi pasur ankesa të shumta prej qytetarëve sa i përket parkingjeve te Komunës të cilat janë në shfrytëzim prej kompanive të ndryshme private. “Duke hulumtuar kontratat e Komunës me kompanitë që i menaxhojnë kemi hasur parregullsi dhe keqpërdorime të shumta të pronës publike. Rasti më flagrant është me firmën “Parking Kosova” e cila menaxhon parkingun tek Shtëpia e Bardhë, parkingun në rrugën “Shuaip Spahiu”dhe parkingun në rrugën “Suzi Qelebiu”. Kjo kompani i vjel të ardhurat nga parkingjet e automjeteve në mënyrë ilegale tashmë 10 muaj, sepse kontrata me Kuvendin Komunal të Prizrenit i ka skaduar me datën 31 dhjetor 2013”, tha Mullahu, duke shtuar se asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje nga Drejtoria e Ekonomisë dhe Financave për të hyrat nga këto parkingje, pëvarësisht kërkesës që ia kemi bërë. “Ne jemi të bindur se kjo kopani nuk ka inkasuar fare mjete në buxhetin e publik, dhe vlera e humbjes për Komunën e Prizrenit tashmë kalon 5.000 euro”, u shpreh ajo. Kompania “Parking Kosova” përfaqësohet nga Jashar Berisha, i cili është djali i Naser Berishës, kandidatit për asamble dhe për deputet nga radhët PDK së. Pra, përveç humbjeve materiale të Komunës, këtu ka edhe konflikt interesi. Tutje, asambleistja Drita Millaku tha se gjatë hulumtimit kemi vërejtur se në parkingun e rrugës “Tahir Sinani”, te tregu “Fatoni”, kontrata ka skaduar me 30 prill 2014, dhe ky parking i është dhënë në shfrytëzim Shoqatës së Burgosurve Politik, e cila përfaqësohet nga Ruzhdi Saramati, kandidat për asamble në zgjedhjet e fundit lokale nga radhët e PDK-së. “Shkelje kemi vërejtur edhe te parkingu përball Kuvendit Komunal deri tek ura e hekurt e cila i është dhënë në shfrytëzim Shoqatës së Invalidëve të Luftës që përfaqësohet nga Bujar Ukimeri, kontrata e të cilës ka skaduar me 31 prill 2014. Shkelje janë vërejtur në të gjitha parkingjet që shfrytëzojnë pronën publike, mirëpo fokusi ynë mbetet tek shkeljet që kanë kosto më të madhe, siç është rasti i firmës “Is Company”, parkingu tek tregu i plaçkave në rrugën “Edit Dyrham”, që i ka skaduar kontrata më 13 shtator 2013, ku edhe pse në kontratë parashihet ndërprerja e punës pas skadimit të afatit, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. “Në pyetjen tonë për drejtorin Hasan Hasani se pse këto firma i shfrytëzojnë parkingjet pa kontratë, përgjigja ka qenë se jemi në fazën e tenderimit. Porse tenderi duhet të hapet pa skaduar që të pamundësohet shfrytëzimi i pronës publike pa kompensim”, tha ndër të tjera Millaku.
Asambleisti Arbër Rexhaj tha se Komuna e Prizrenit operon me parkingje ilegale të cilat keqpërdoren nga zyrtarët komunalë për përfitime materiale. “Gjithandej nëpër komunën tonë këto parkingje dëmtojnë buxhetin publik. Parkingjet përpos që tani më po uzurpojnë hapësirat publike, ato edhe po punojnë jashtëligjshëm. Po të mos mjaftonte kjo, këta zyrtarë komunalë, veprojnë kundër interesit publik edhe me ndërmarrjet e për bartjen e automjeteve të konfiskuara, gjegjësisht me kompanitë e merimangave”, theksoi Rexhaj. Se drejtori Hasan Hasani punon ne dëm të interesave të komunës tregon edhe kontrata me kompaninë e automjeteve “NTSH Votra” nga Prizreni, e cila tregon çart se si lokacioni i poligonit “Lidhja e shofereve” i është dhënë në shfrytëzim kësaj kompanie pa kurrfarë kompensimi dhe humbjet e Komunës nga kjo kontrate për 4 vitet e kaluara kalojnë shifrën e 30 mije eurove. Për më tepër, kjo kompani nuk është e licencuar për të kryer këtë lloj të veprimtarisë, dhe ka raste të ndryshme të ankesave të qytetarëve, që kanë hapur raste edhe në gjykatë, për dëmtimin e veturave që ua ka bërë kjo kompani. “Në pyetjen tonë drejtuar Hasan Hasanit, Drejtorit të Shërbimeve Publike, se përse është kontraktuar kjo kompani e palicencuar dhe iu është dhënë në shfrytëzim prona pa kompensim, ai na ka thënë që ta pyesim Policinë e Prizrenit, sepse ata e dinë më së miri”, tha Arbër Rexhaj, duke shtuar se me kërkesën tonë drejtuar Drejtorisë së Financave, kemi pyetur se sa kanë qenë të hyrat e deklaruara nga kjo kompani, përgjigjja nuk na është dhënë sepse nuk kanë pasur përgjigje.
Ne dënojmë ashpër përfitimet e paligjshme të individëve të afërt me partinë në pushtet të cilët manipulojnë në emër të shoqatave që kanë respekt në shoqëri për dobi personale private. Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prizren u bënë thirrje organeve të drejtësisë që t’i hetojnë urgjentisht këto raste të keqpërdorimit të pronës publike, sepse humbjet e Komunës veç sa po thellohen çdo ditë e më shumë.
22 tetor 2014
Lëvizja VETËVENDOSJE! në Prizren

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat