Nga Las Vegas në UCK, rrëfimi i mjekut amerikan

Lajme

Nga Las Vegas në UCK, rrëfimi i mjekut amerikan

Më: 21 tetor 2014 Në ora: 20:25

Por, gjithçka ndryshoi te ky adhurues pokeri, një pasdite pas humbjes që pësoi në turneun botëror të pokerit në Las Vegas. I lodhur, kirurgu i pensionuar shkoi në hotel të pushonte...

Nuk ka shumë vjet nga lufta e fundit në Kosovë, dhe kujtimet për shumëkë janë ende të freskëta. Të tilla janë edhe për kirurgun amerikan Willard Noyes, i cili braktisi Las Vegasin, për të operuar në Kukës dhjetëra të plagosur shqiptarë të Kosovës. Si dëshmi ruan edhe shumë fotografi.

Në shtëpinë e tij në SHBA, tash mban edhe flamurin kombëtar, por dikur nuk kishte dëgjuar kurrë për shqiptarët e Kosovës.

Edhe pse kishte arritur moshën e pensionit, specialisti amerikan i kirurgjisë, Willard Noyes, nuk dinte se diku në Evropë ekzistonte një vend me këtë emër dhe që popullohej nga shqiptarët e që po shtypeshin nga një regjim si ai i Slobodan Milosheviqit.

Por, gjithçka ndryshoi te ky adhurues pokeri, një pasdite pas humbjes që pësoi në turneun botëror të pokerit në Las Vegas.
I lodhur, kirurgu i pensionuar shkoi në hotel të pushonte dhe aty përmes televizorit pa tmerrin që po përjetonin kosovarët gjatë luftës.

`U ktheva në dhomën e hotelit dhe po shihja televizor në dhomën time. Po shihja lajmet për masakrat e serbëve mbi kosovarët e Kosovës. Nuk kisha dëgjuar kurrë për Kosovën më parë. U bëra pothuajse njëherësh kurioz, dhe kisha dy vjet që kisha dalë në pension, prandaj mendova se kishte një vend më të mirë për të kryer punën që unë dija ta bëja, pra mjekësinë dhe kirurgjinë. Pra të nesërmen mora në telefon mjekët pa kufi, për të pyetur nëse donin të vija dhe unë dhe më thanë po`
Pas katër ditësh, mjeku amerikan aterroi në aeroportin e Rinasit në Tiranë e më pas u nis drejt Kukësit për të ndihmuar të plagosurit kosovarë që po vinin nga zonat e luftës.

Rrëfimet e tij për tmerrin që kaloi në spitalin e Kukësit, që nuk ofronte kushte minimale për punë i mbështet edhe me fotografitë që ruan edhe tash pas kthimit në SHBA.

Dhe duke kujtuar këto kushte pune të asaj kohe, është habitur me akuzat që i janë mveshur UCK-së për transplantim organesh.


`Më duket komplet e pabesueshme. Në atë kohë dhe në këtë kohë, në atë realitet dhe me ato kushte që mund të ndodhë diçka e tillë. Unë kam marrë pjesë në heqjen e organeve nga njerëz që kishin nënshkruar marrëveshje për të dhuruar organet e tyre pasi të vdisnin gjatë praktikës sime si kirurg në Pensilvani. Procesi që ndodh gjatë heqjes së organeve, përgatitja e organeve, ftohja dhe ngrirja e organeve dhe koha e transportit që nga aty ku kryhet operacioni deri tek aty ku duhet të shkojë, është e pabesueshme për mua që mund të ndodhë në atë vend për të cilin po më flisni ju, në Shqipëri, nga ushtarët e UÇK-së`
Ai thotë se puna e tij në spitalin e Kukësit ka bërë që t''''i njohë ushtarët e UCK-së dhe ta kuptojë në esencë qëllimin që ata kanë.
Unë i njoha njerëzit e UÇK-së, njoha ushtarët e saj, e dija për çfarë luftonin. Ata nuk luftonin për para, por për atdheun dhe pavarësinë e tyre. dhe kundra masakrave që po kryenin serbët etj. Nuk ishin aty për të bërë ndonjë lek. Nuk e di nëse kishte apo jo kriminelë, se kriminelë ka në çdo luftë, por nuk e besoj se po bënin atë që thatë ju dhe për akuzat për marrjen e organeve. Edhe nëse i morën këto organe, ato nuk ia dërguan askujt sepse duhet kohë dhe eksperiencë për të bërë këtë lloj pune. Nuk më duket e mundur.

Eksperti i kirurgjisë thotë se gjatë punës së tij në Kukës u lidh shumë me Kosovën vendin që edhe tash e kujton përmes fotografive që i realizoi sa ishte këtu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat