Shkollave fillore të kryeqytetit u mungojnë 33 mësimdhënës, konkursi me vonesë

Lajme

Shkollave fillore të kryeqytetit u mungojnë 33 mësimdhënës, konkursi me vonesë

Më: 21 tetor 2014 Në ora: 15:15

Në disa shkolla fillore të kryeqytetit as pas gati dy muajve qysh kur ka filluar procesi mësimor, ende nuk është plotësuar numri i mësimdhënësve.
Kjo pasi që shkollat kanë pasur kërkesa të reja për kuadro dhe Komuna e Prishtinës ka hapur për herë të dytë konkursin për mësimdhënës, me të cilin kërkohen edhe 33 mësimdhënës.

E për mungesë të mësimdhënësve, disa të tjerë që janë në punë po detyrohen të mbajnë dy ndërresa.

Kjo, sipas zyrtarëve komunalë, ndodh për shkak se pas përfundimit të konkursit të parë, shkollat kanë pasur kërkesa të reja. Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci, ka thënë se Komuna ka gjetur zgjidhje afatshkurtër derisa të përfundojnë procedurat e konkursit të dytë të hapur nga Komuna.

“Në shtator, pas përfundimit të konkursit, janë pranuar 49 mësimdhënës në shkollat e Komunës së Prishtinës. Ky numër ka plotësuar kërkesat e paraqitura në përfundim të vitit shkollor. Tani pas kërkesave të reja nga shkollat, të lira mbetën edhe 33 pozita.

Konkursi është mbyllur. Aktualisht jemi në përfundim të përpunimit të të dhënave të aplikuesve dhe futjes se tyre në databazë, ndërsa dhe shumë shpejt do të mbahen intervistat me kandidatët e përzgjedhur”, ka thënë Nagavci.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat