Kërkohet ndryshimi i ligjit për qasje në dokumente publike

Lajme

Kërkohet ndryshimi i ligjit për qasje në dokumente publike

Më: 21 tetor 2014 Në ora: 14:22

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Avokati i Popullit po konsiderojnë se moslejimi i qasjes në dokumentet publike i mediave, por edhe shoqërisë civile mbetet në nivel tejet shqetësues.
Për këtë arsye të dy palët po kërkojnë ndryshimin e ligjit për qasje në dokumente publike. Zyra për Komunikim me Publikun e kryeministrit ndërkaq ka plasuar idenë e krijimit të një Komisionari për informim.

Është dashur plotë katër vite për t’u parë se ligji për qasje në dokumente publike nuk ka aspak efekt në rritjen e transparencës në nivel të institucioneve publike.
Shkalla e ultë e zbatimit të këtij ligji në Kosovë është theksuar si një nga elementët më ilustrativ të jo transparencës dhe llogaridhënies edhe në raportin e fundit të Progresit, të Komisionit Evropian.
Për këtë arsye Asociacioni i Gazetarëve kosovarë ka iniciuar një debat publik për të çuar përpara iniciativën, për ndryshimin e ligjit për qasje në dokumentet publike.
Kreu i këtij Asociacioni Zekrija Shabani thotë se nevojitet që ligji të përcaktoj qartë ndëshkimet gjyqësore në rastin e moslejimit apo mosdhënies së informacionit zyrtar. “Është tejet shqetësuese realiteti me të cilin po përballen mediat në Kosovë karshi obligimeve ligjore që kanë institucionet publike për dhënie informacioni. Ligji nuk përcakton se cila gjykatë duhet të merret gjithashtu nuk ekziston as masë e llogaridhënies”, i ka thënë Shabani, Radio Kosovës.

Ndryshim të këtij ligji po kërkon edhe Avokati i Popullit. Zëdhënësja Majlinda Lulaj thotë se ligji nevojitet të përcaktoj qartë mekanizmat përgjegjës dhe ndëshkimet .

“Është e domosdoshme të krijohet apo jepet fuqi një mekanizmi që do të kishte fuqi ekzekutive që do të mund të nxirrte vendime që do të obligonin insitucionet të jepnin dokumentet publike apo të ndëshkonte në rastet kur ka refuzime”, ka thënë Lulaj.
Albulena Syla nga Departamenti për Komunikim me Publikun në Zyrën e kryeministrit ka thënë se tashmë kanë hapur debatin nëse këtij ligji i nevojiten ndryshime. Po ashtu sipas saj eksiton ideja e krijimit të një Komisionari për informim me fuqi ekzekutive.

“ Ne po shqyrtojmë ndryshimin e ligjit, por edhe idenë e formimit të një Komisionari për Informim që është shkallë e dytë në hierarkinë e institucioneve publike dhe ndaj vendimeve të të cilit mund të t’i drejtohet Gjykatës Administrative”, ka thënë Sylaj.

Megjithatë ky ligj nuk po duket aq i mangët për Agron Demin, drejtorin e Institutit Gap. Ndonëse ka marrë shumë refuzime për qasje në dokumente publike dhe i është drejtuar disa herë gjykatës, Demi thotë se ligjit i nevojitet zbatim jo ndryshim.

“Ne kundërshtojnë iniciativën për ndryshimin e këtij ligji. Ligji nuk është i keq. Krejt çka i duhet ndoshta është një akt nënligjor. Problemi është se nuk ka aspak gatishmëri për t’u zbatuar sikurse që po ndodhë me shumë ligje tjera”, ka thënë Demi.

Në të njëjtën materie autoritet në Kosovë po shqyrtojnë mundësinë e zbatimit të Direktivës së Komisionit Evropian nr.2013/37/EU për ri-përdorimin e informacioni të sektorit publik. Kjo direktivë nëse zbatohet në tërë elementin e saj garanton qasjen në dokumente publike dhe rrit transparencën, si një parakusht i qeverisjes së mirë. Në këtë mënyrë synohet vrojtimi dhe vlerësimi i aktiviteteve të autoriteteve publike dhe thirrja në llogaridhënie. Po ashtu direktiva parasheh se qasja në dokumentet publike e bën më të efektshëm përdorimin e të drejtave të tjera civile e politike, veçanërisht lirinë e fjalës dhe të drejtën e informimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat