Agjencia e komuna shtyhen për kompetenca, keqbërësit shkatërrojnë pyjet

Lajme

Agjencia e komuna shtyhen për kompetenca, keqbërësit shkatërrojnë pyjet

Më: 21 tetor 2014 Në ora: 11:18

Pyjet e Kosovës, si pasuri kombëtare, po shkatërrohen çdo ditë, ndërsa institucionet shtetërore, ato qendrore dhe lokale, nuk janë duke mundur ta ndalojnë një gjë të tillë.
Ky është konstatimi i dalë nga edicioni i së hënës i emisionit të vetëm për ekonomi ne televizionet vendore, “Ekonomia me Erëzën”, në të cilin u trajtua tema e shkatërrimit të pyjeve.

Për këtë çështje, si të ftuar në studion e Erëza Vela Berishës debatuan drejtori për Pylltari në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, z. Faruk Bojaxhi, drejtori për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural në komunën e Deçanit, z. Nasim Haradinaj, eksperti i ambientit, z. Behxhet Mustafa dhe z. Brahim Sadriu nga policia e Kosovës.

Përfaqësuesi i Agjencisë së Pyjeve, z. Bojaxhi tha se konflikti për kompetenca mes komunave dhe kësaj agjencie ka bërë që të krijohet një paqartësi, të cilën në mënyrën më të mirë po e shfrytëzojnë keqbërësit dhe përfituesit ilegalë.

Nga ana tjetër, z. Haradinaj tha që si drejtor për pylltari në komunën e Deçanit, nuk ka asnjë kompetencë për kujdesin ndaj pyjeve të zonës së tij të përgjegjësisë.

Njohësi i Ambientit, Behxhet Mustafa tha që shkatërrimi i pyjeve po ndodh për shkak të defekteve si në Agjencinë e Pyjeve ashtu edhe në drejtorit përgjegjëse komunale. Sipas tij Kosova nuk mundë të bëhet pjesë e BE-së përderisa nuk e zgjidhë çështjen e ruajtjes së pyjeve, ambientit, tokave pjellore dhe problemeve tjera të përafërta.

Përfaqësuesi i policisë në emision, Brahim Sadriu, tha se policia e Kosovës vazhdimisht bashkëpunon me APK-në dhe autoritete komunale, me qëllim parandalimin e dëmtimit të pyjeve. Sipas tij, gjatë këtij viti janë iniciuar 358 raste, ku përfshihen vjedhja e pyllit dhe transportimi i paligjshëm i masës drusore.

Në emision u tha se gjykatat nuk po e kryejnë si duhet punën e tyre, pasi po japin dënime të buta për keqbërësit. Të ftuarit në emision propozuan konfiskimin e mjeteve të punës, si sharrat motorike dhe ato të transportit, për ata që kapen duke vjedhur pyjet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat