Rashiq: Jahjaga të shkojë në Beograd

Lajme

Rashiq: Jahjaga të shkojë në Beograd

Më: 20 tetor 2014 Në ora: 20:58

Lideri i Partisë Progresiste Serbe Nenad Rashiq deklaroi dhuna në ndeshjen Serbi-Shqipëri ka rrezikuar dialogun shqiptaro-serb të Brukselit.
Duke folur në "Info Magazine", të Klan Kosovës, Rashiq tha se vlerësimi që kjo ndeshje të zhvillohet nuk ka qenë i drejtë.
“Janë instancat ndërkombëtare të cilat nuk kanë bërë vlerësimin sa duhet. Ka ekzistuar një klimë e rëndë dhe një gjuhë e urrejtjes qoftë në Beograd qoftë këndej. Mendoj se fajtorë janë të dyja palët dhe secili vendim gjykues vetëm për një palë do të ishte i gabuar. Kam përshtypje se ndeshja duhet të luhet në një terren neutral”, tha Rashiq.
Gjatë kësaj interviste deputeti serb rrëfeu edhe momentet si u ndje kur plasi sherri në stadium.
“Fillimisht mendova që u rrezikua vizita historike e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në Beograd. Pastaj mendova edhe për sigurinë. Qëndrova zgjuar deri në 2 të mëngjesit për të parë se si është situata në Mitrovicë, Prishtinë, Shtërpcë e Gjakovë, pasi çdo mospajtim ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve ka ndikim edhe në Kosovë. Mendoj se duhet të jemi shumë të kujdesshëm sepse kjo situatë është delikate”, deklaroi ai.
Kur komentoi vizitën e kryeministrit shqiptar, Rashiq tha se është bërë mirë që ajo u shtye.
“Mendoj se për 15 ditë do të qetësohen gjakrat dhe vizita do të realizohet me sukses. Kam përshtypje se dy liderët duhet të jenë të matur dhe teknik gjatë kësaj vizite, me qëllim të ndërtohen raporte miqësore. Unë them se marrëdhëniet shqiptaro-serbe janë ndër më të rëndësishmet në zhvillimet në Ballkan.”, porositi deputeti minoritar në Kuvendin e Kosovës.
Ai i sugjeroi edhe Presidentes Jahjaga t’i thotë po vizitës në Beograd.
“Atifete Jahjaga duhet t’i thotë po vizitës në Beograd. Ajo duhet të promovohet si presidente atje dhe nuk ka arsye përse të mos shkojë. Bile mendoj se asaj i takon para Ramës ta vizitojë Serbinë, me qëllim të promovimit të marrëdhënieve më të mira për dy shtetet”, tha Rashiq.
Lideri i progresistëve serbë foli edhe për vendimin e minoritarëve për të kërkuar shpjegim shtesë për pikën 127 të Gjykatës Kushtetuese.
“Personalisht mendoj se gjykata Kushtetuese nuk do të jep sqarim për këtë. Formulimi i kërkesës është i gabuar, dhe them se deputetët duhet të kuptojnë që Gjykata nuk jep shpjegime për secilën pikë. Mendoj se versioni më i mirë ishte të shkojmë në zgjedhje”, përfundoi ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat