Halit Krasniqi thotë se Blloku po konsumon vepër penale

Lajme

Halit Krasniqi thotë se Blloku po konsumon vepër penale

Më: 2 tetor 2014 Në ora: 15:21

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të PDK’së, Halit Krasniqi, ka shkruar se deputetët e Bllokut janë duke konsumuar veprën penale pasi janë duke shkelur protokollin e Presidentes Jahjaga.
Deri te ky konstatim, Krasniqi ka ardhur pasi partitë opozitare nuk kanë respektuar ftesën e Presidentes për të shkuar në takim veç e veç.

“Në këto veprime ka elemente të konsumimit të vepres penale të sanksionueshme me ligjet në fuqi. Megjithëkëtë, bazuar në deklaratat dhe veprimet e VLAN-it duke thyer protokollin shtetëror të Presidencës, duke përseritur të njëjtin fjalor mosbindës ndaj ligjeve në fuqi, Kushtetutës aktuale dhe duke i quajtur interpretim politik komentet, të cilat dalin nga Gjykata Kushtetuese, mund të konkludojmë se pa ndërhyrje tē miqëve tanë, vendin e presin trandje të mëdha e zhvillime të padinjitetëshme”, ka shkruar Krasniqi.

Lexojeni të plotë tekstin

Ultimatumi i Presidentes dhe shpërfillja e protokollit të zyrës së saj

Halit Krasniqi,

Vendit i duhet mekanizëm më efikas për kontrollin e zbatimit të ligjeve funksionale. Deri sa të arrihet ky objektiv, duhet të krijojmë disiplinën e respektimit të ligjeve në fuqi dhe të kushtetutës aktuale, ashtu siç është dhe jo ashtu siç duam dhe ashtu siç na pëlqen neve personalisht, si kualicion i organizuar apo si bllok i improvizuar.
Ultimatumi i Presidentes për lidershipin para mbledhjes së 2 tetorit dhe mosbindja e tyre sot, ndaj agjendës së saj, ma ka grishur kujtesën për të gjetur arsyet pse jemi kështu si jemi.

Pushtimet shumëshekullore kanë lënë gjurmë të thella në formimin tonë të përgjithshëm. Pushtimet e para romake,dyndjet e mëdha barbare, Bizanti dhe dyndjet prej Karpateve, duke qenë të përgatitur për pushtime, arritën të bëjnë në gjerësi dhe thellësi shtrirjen mbi qenien tonë, por nuk arritën të bëjnë edhe pushtimin gjuhësor e kulturor, duke iu falënderuar dallimeve të mëdha etnopsikologjike me pushtuesit. Gjithashtu, edhe pushtimi shumë shekullor turk, duke qenë perandori e kohës, ka qenë edhe sfidë e madhe.

Duke iu falënderuar dallimeve etnopsikologjike të popullit tonë dhe të kulturës otomane, edhe pse ishte okupim i gjatë pesë shekullor, populli ynë arriti të ruaj të pacenuar substancën e formimit të vet shpirtëror të krijuar historikisht. Meqenëse në lashtësi, paraardhësit tanë kishin një mbretëreshë në krye të fronit, pushtuesit tanë ende femrën e trajtonin si skllave dhe mall për shitje, mjafton ta kujtojmë Aristofanin me komedinë e njohur Gratë në parlament, ku femra është konsideruar si rend i dytë i shoqërisë njerëzore. Madje edhe me libra të çmueshem trajtohej si mall, duke arritur ky atavizëm deri në shekullin XX. Marrëdhëniet civile të pushtuesve ishin dhe janë ende edhe sot shumë të ndryshme nga marrëdhëniet tona civile të kodifikuara me ato të orientit, edhe më të mëdha me ato të Gadishullit arabik e të Saharës. Ishin dhe janë një mori faktorësh që e kanë krijuar këtë dallueshmëri.

Duke iu falënderuar këtyre dallimeve tona me kulturat e pushtuesve, nuk kanë arrit të bëjnë asimilime e hibridizime siç kanë synuar.

Por, megjithatë, nuk kemi kaluar pa pasoja nga pushtuesit. Këto pasoja brezi jonë i ka përjetuar në shpirt, mish dhe eshtra. Këto pasoja i përjetojmë edhe sot dhe i shohim me sy të gjithë. E gjithë pjesa e botës së emancipuar është koncentruar për të na ndihmuar si asnjëherë në historinë e ekzistencës sonë. E, ne, as nuk jemi mirënjohës sa duhet e as nuk ndërgjegjësohemi se jemi duke kaluar nëpër periudhën e ndryshimeve, prej një vendi të robëruar në vend të pavarur e sovran, nga një popull i shtypur në popull të lirë.

Karakteristikat e formimit tonë historik dhe pozita e vendit tonë është duke u vlerësuar nga qendrat vendimmarrëse në botë, të cilat vlerësojnë pozitën tonë gjeografike, formimin tonë etnopsikologjik dhe mundësitë e ndikimit tonë në gjeostrategjinë e tyre. Ata kanë shfaqur simpati dhe i kanë çmuar këto karakteristika politikanë, diplomatë e ushtarakë të këtyre qendrave dhe kanë treguar gatishmëri për t’u konfrontuar me të tjerët që kanë synuar rrezikimin e qenies sonë.

Prandaj, nuk i falet klasës sonë politike, as nuk u lejohet të kultivojnë karakteret ataviste siç janë inati dhe smira; formimet mesjetare për zhvatje dhe përvetësim; edukimi i cilësuar në shekujt e kaluar dhe veprimet të cilat janë nxitë dhe yshtur me poste e para etj. Këto veçori të kaluara nuk mund ta tipizojnë njeriun tonë sot të zgjedhur e të votuar dhe në këto zhvillime bashkëkohore. Kjo është e pajustifikueshme. Kujtesa historike na mëson se duhet ruajtur nga mallkimi i kësaj toke dhe mllefi i popullit.

Është një rend ligjor dhe kushtetues i krijuar nga ne bashkë me miqtë tanë, që inkorporuam eksperiencat më pozitive të legjislacioneve me demokraci të pranuar në botë. Është një rend kushtetues, i cili duhet të respektohet dhe nuk guxojmë të krijojmë precedentë të shkeljeve për hir të një grupi liderësh lokalë, me mentalitete jashtë kohës dhe larg hapësirës sonë. Kur i dëgjon këta liderë të rreshtuar në një bllok në presidencë, edhe pse kanë qenë të ftuar veç e veç, duke folur për aktualitetin politik, flasin si prijës të fiseve apo bajraktarë.

Liderët e Bllokut kur flasin për Kuvendin dhe kur interpretojnë Rregulloren e punës dhe ligjet funksionale, dëshmojnë sikur për disa ish kuvende burrash kur janë mbledhur për të zgjidhur fatet e rendit të ujit për ujitje apo rend mulliri.

Është e pa mohueshme se shoqërisë tonë i duhet ndryshimi i legjislacionit, sipas preferencës së ekspertëve të fushës së ligjeve dhe disa ndërhyrje në Kushtetutën tonë për ta bërë edhe më funksional shtetin në atë pjesë ku tanimë është e domosdoshme edhe ndërhyrja për ta lehtësuar transformimin e pushteteve.
Gjithashtu, duhet ndërtuar një mekanizëm efikas për kontrollin e zbatimit të ligjeve funksionale.

Deri sa të arrihet ky obektiv, duhet të krijojmë disiplinën e respektimit të ligjeve dhe të Kushtetutës aktuale, ashtu siç është dhe jo ashtu siç na pëlqen neve personalisht, si kualicion i organizuar apo ndonjë blloku të improvizuar.

Sugjerimet e deritashme nga miqtë tanë, aq sa janë shfaqur në opinion, që nga dita e parë e “ngërçit” për politikën kosovare ishin “të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese”, sepse janë të detyrueshme për gjygjësorin, për gjithë personat, institucionet e Republikës së Kosovës, por, asnjëherë deri tash nuk u tha çka ngjet me ata që e shkelin vendimin e Gjykatës. Kandidimi i përsëritur për kryetar, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, përbën lajthim, shpërfillje dhe shmangëje të respektimit të rendit kushtetues. Shmangëja me vetëdije përbën cenim i rendit kushtetetues.

Në këto veprime ka elemente të konsumimit të vepres penale të sanksionueshme me ligjet në fuqi. Megjithëkëtë, bazuar në deklaratat dhe veprimet e VLAN-it duke thyer protokollin shtetëror të Presidencës, duke përseritur të njëjtin fjalor mosbindës ndaj ligjeve në fuqi, Kushtetutës aktuale dhe duke i quajtur interpretim politik komentet, të cilat dalin nga Gjykata Kushtetuese, mund të konkludojmë se pa ndërhyrje tē miqëve tanë, vendin e presin trandje të mëdha e zhvillime të padinjitetëshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat