Gjosha: Shqipëri-Kosovë, bashkë për integrimin

Lajme

Gjosha: Shqipëri-Kosovë, bashkë për integrimin

Më: 1 tetor 2014 Në ora: 16:08

Marrëdhëniet e shkëlqyera vëllazërore mes Shqipërisë dhe Kosovës, janë një shtysë shumë e fortë për të qenë përkrah njëri- tjetrit në procesin e integrimit evropian. Ky ishte mesazhi kryesor i takimit të sotëm mes ministres së Integrimit Klajda Gjosha, dhe homologut kosovar Gëzim Kasapolli.

Gjatë takimit në Tiranë, ministrja Gjosha, nënvizoi faktin se duke thelluar bashkëpunimin, Shqipëria dhe Kosova mund të hedhin hapa përpara në këtë proces. Më tej Gjosha u shpreh se vendet aspiruese për në Bashkimin Evropian, kanë përpara sfida të mëdha dhe vazhdimësia e reformave është e domosdoshme për t’i kapërcyer sa më shpejt ato.

“Sigurisht që vendet tona janë në faza të ndryshme të procesit të integrimit, por perspektiva e qartë e së ardhmes për ne dhe gjithë rajonin, duhet të na bëjë sot me shumë se asnjëherë më parë të jemi përkrah njëri-tjetrit në këtë rrugëtim. Shqipëria ka çfarë t’i ofrojë Kosovës sidomos në nivel teknik”, tha Gjosha.

Ministri i Integrimit Evropian të Republikës së Kosovës Gëzim Kasapolli, u shpreh se është me shumë rëndësi ndërtimi i një platforme të përbashkët mes dy vendeve për procesin e integrimit.

“Në këtë mënyrë ne do të shmangnim dublifikimin e procesit, por do të jepnim edhe një mesazh të qartë rajonal se bashkëpunimi mes gjithë vendeve tona, i shërben të ardhmes tonë në Bashkimin Evropian”, tha ministri.

Bashkëbiseduesit nënvizuan gjithashtu se zhvillimi i gjithanshëm ekonomik, social e kulturor në Shqipëri dhe Kosovë, është kontributi më i mirë për integrimin evropian rajonal.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat