Enis Rama dhe Ekrem Avdiu bashkëpunues të hetuesisë?

Lajme

Enis Rama dhe Ekrem Avdiu bashkëpunues të hetuesisë?

Më: 1 tetor 2014 Në ora: 14:37

Pa dashur të komentoje nëse arrestimi dhe më pas lirimi i dy imamëve të Mitrovicës nga paraburgimi, Enis Rama dhe Ekrem Avdiu, do të ndikoj negativisht në qëllimin e përbashkët të institucioneve të Kosovës për luftimin e terrorizmit ministri në largim i punëve të brendshme Bajram Rexhepi e lë të hapur mundësinë që personat e liruar mund të jenë bashkëpunëtor të hetuesisë.
“Ne duhet ti respektojmë edhe procedurat demokratike. Ndonjëherë në mungesë të fakteve të plota mund edhe të lirohen dhe nuk dua të spekuloj, por ka raste kur mund të jenë edhe persona bashkëpunues. Të gjitha këto janë çështje të prokurorisë dhe gjyqësisë”, ka thënë ministri Rexhepi në një bisedë për Zëri.

Duke ia lënë drejtësisë që të merret me këto raste dhe pa dashur të paragjykoj provat ekzistuese ministri Rexhepi thotë tutje se e rëndësishme është që tashmë ekziston një mesazh që “institucionet tona të zbatimit të ligjit janë të përkushtuara edhe ne me një vullnet politik tonin, të kryeministrit, presidentes që këtë fenomen ta minimizojmë dhe ti shkojmë deri në fund”.

Enis Rama dhe Ekram Avdiu janë dy imamët e arrestuar më 17 shtator të këtij viti së bashku me 13 hoxhallarët e tjerë në mesin e të cilëve edhe imami i xhamisë së madhe të Prishtinës Shefqet Krasniqi dhe kryeimami i Pejës, Enes Goga. Trembëdhjetë hoxhallarët vazhdojnë të jenë në paraburgim dhe kjo masë vlen një muaj derisa Rama e Avdiu janë liruar me kërkesë të prokurorit të rastit Haki Gecaj.

Ky i fundit në ditën e lirimit të dy imamëve më 25 shtator, ka thënë për Zëri se që nga dita e arrestimit ka punuar në këtë rast dhe pas një javë të mbajtjes në paraburgim, nuk e ka parë të arsyeshme mbajtja e tyre në paraburgim. Pavarësisht lirimit nga paraburgimi, ndaj dy imamëve të Mitrovicës është duke vazhduar procedura hetimore. / Veriu.info

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat