Ismet Beqiri i reagon Enver Hasanit: PDK të heqë dorë, Kryeparlamentari i takon Bllokut

Lajme

Ismet Beqiri i reagon Enver Hasanit: PDK të heqë dorë, Kryeparlamentari i takon Bllokut

Më: 1 tetor 2014 Në ora: 10:18

Deputeti i LDK’së, Ismet Beqiri i ka reaguar deklaratave të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, i cili sot ka deklaruar se vetëm PDK’së si Grupi më i madh parlamentar i takon e drejta për të propozuar Kryetarin e Kuvendit.

Mirëpo, Beqiri ka thënë se ky është interpretim politik i Hasanit, derisa i ka bërë thirrje PDK’së të lëshojë rrugë për Kryeparlamentarin e shumicës në Kuvend.

“Ky është interpretim politik i Enver Hasanit pasi ai po thotë se paska zgjidhje politike. Edhe un ë mendoj se ka zgjidhja politike por jo sipas Enver Hasanit dhe PDK’së”, ka thënë Beqiri, për Gazetën Express.

Pas kësaj, Beqiri ka thënë se PDK duhet të tërhiqet nga pozita e Kryeparlamentarit sepse nuk i kanë votat. Për këtë arsye, ai ka thënë se Blloku i ka numrat dhe duhet të ketë Kryeparlamentarin.

“Zgjidhja politike është që PDK të heqë dorë dhe le të shpenzon të gjitha mundësitë e veta për të kandiduar kandidatin, por jo në pafundësi, dhe pastaj kjo e drejtë duhet të kalojë te shumica parlamentare sepse nuk është në kundërshtim me Kushtetutën”, ka shtuar ai.

Beqiri ka thënë se është absurde të detyrohen deputetë të votojnë kandidatin e PDK’së dhe të Enver Hasanit.

Ky zyrtar i LDK’së ka thënë se bazuar në vendimin e Gjykatës e kanë zgjidhjen dhe votat për të votuar Kryetarin e Kuvendit.

‘Ne e kemi zgjidhjen, e kemi mënyrën dhe i kemi votat”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, Enver Hasanit, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, e ka sqaruar sot edhe pikën 127 në të cilën thirreshin Blloku. Ai ka thënë se vetëm Grupi më i madh Parlamentar ka të drejtën e propozimit të kandidatit për Kryetar të Kuvendit dhe jo grupet tjera.

Në këtë rast, ai ka thënë se veç PDK i takon pozita e Kryetarit të Kuvendit e Blloku pastaj mund ta formojë Qeverinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat