Edhe një shtetas i Kosovës vritet në Siri

Lajme

Edhe një shtetas i Kosovës vritet në Siri

Më: 30 shtator 2014 Në ora: 19:22

Melos Kosumi nga Gjilani ka humbur jetën gjatë luftimeve në Siri. Familja ka hapur dyert për ngushëllime, ndërsa besonte se djalin e kishte në Turqi.
Selami Kosumi nga Gjilani para dy ditësh është njoftuar se djali i tij i vetëm, Melosi, 17 -vjeçar, është vrarë në Siri. Shpesh i tradhtuar nga emocionet, Selamiu mundohet të rrëfejë se si para një viti Melosi kishte vazhduar shkollimin e mesëm në Turqi dhe shpesh nga mërzia ai ishte kthyer për vizitë në Kosovë.
Edhe kohën e fundit ai thotë se kanë folur vazhdimisht në telefon, mirëpo gjithmonë duke menduar se djali gjendet në Turqi. Një telefonatë e para dy ditëve nga Siria, e një personi që Selamiu thotë të mos e ketë ditur kush ishte, ia ka kumtuar lajmin për vdekjen e Melosit.

Ai thotë se Melosi ishte djalë i sjellshëm dhe i suksesshëm në shkollë dhe nuk e përjashton mundësinë që dikush ka ndikuar në djalin e tij që ai t’i bashkohet luftës në Siri.
Por, megjithatë lutet që ky të jetë i fundit kosovar që vritet në luftën e Sirisë. Derisa vazhdimisht është bërë thirrje nga të gjitha instancat shtetërore e fetare që të mos i bashkohen këtyre luftërave, deri më tash janë dhjetëra të rinj shqiptarë që janë vrarë në Siri dhe Irak.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat