VV: Komuna e Malishevës me buxhet klientelist, jo zhvillimor

Lajme

VV: Komuna e Malishevës me buxhet klientelist, jo zhvillimor

Më: 30 shtator 2014 Në ora: 18:53

Sot, më 30 shtator, në Kuvendin Komunal të Malishevës u shqyrtua dhe projektbuxheti i Komunës për vitin 2015. Buxheti vjetor paraqet një dokument të rëndësishëm për Komunën, ku mënyra e planifikimit dhe e shpërndarjes së tij ndikon direkt në mirëqenien e qytetarëve dhe në zhvillimin lokal.

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Malishevë e ka shqyrtuar dhe analizuar me kujdes projektbuxhetin për vitin e ardhshëm, dhe si rrjedhojë konstaton se projektimet buxhetore nuk shprehin kërkesat dhe nevojat e qytetarëve të Malishevës, sikurse nuk shfrytëzojnë fare potencialin lokal për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Ky projektbuxhet është hartuar larg syve të qytetarëve dhe nevojave të tyre, duke mos mbajtur dëgjime publike, dhe kështu duke ju pamundësuar qytetarëve pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në përcaktimin e kahjes së shpenzimit të parasë publik.

Lëvizja VETËVENDOSJE! kishte adresuar një numër kërkesash që të futen në projektbuxhet si: sigurimi i nga një shujte ditore për nxënësit e shkollave fillore deri ne klasë të 5-të; kontrolli mjekësor sistematik i të gjithë nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme; lidhja me trotuar e qytetit të Malishevës, me fshatrat përreth si Dragobili, Banja, Carralluka dhe Mirusha; siguria e lëvizjes për nxënësit dhe qytetarët e Komunës së Malishevës përmes ndërtimit të trotuareve që lidhin shkollat me lagjet e fshatrave si dhe vendosja e ndriçimit në këto hapësira; si dhe investimet në bujqësi përmes subvencionimit të naftës, farës, hardhive, makinave bujqësore, grumbullimin dhe finalizimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale, varësisht nga nevojat.

Asnjëra nga këto propozime të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk u morën parasysh nga pushteti aktual, i cili përgjatë tërë qeverisjes së deritanishme po dëshmon papërgjegjësi dhe mungesë të kapaciteteve qeverisëse. Për më tepër, vendimmarrja për buxhetin i është nënshtruar një pazari të ulët nga tri subjektet politike si NISMA, PDK, LDK, përmes së cilës janë realizuar interesa të ngushta klienteliste, familjare, duke mos u marrë fare për bazë mirëqenia e qytetarëve dhe nevoja për zhvillim ekonomik dhe social në këtë Komunë.

Projektbuxheti ka mangësi të shumta që nga mungesa e detajimit të shpenzimeve për projekte të veçanta, e deri tek orientimi i buxhetit i cili është fokusuar vetëm në projekte infrastrukturore të tipit beton, asfalt, hekur, e përmes së cilave pushteti aktual sikurse ai i kaluari po përpiqet në njërën anë t’i gënjejë qytetarët duke përfshirë investimeve kapitale me çmime qesharake, dhe në anën tjetër të shpërblejë me tenderë kompanitë e afërta me ta.

Të nisur nga kjo situatë, Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka kundërshtuar miratimin e këtij buxheti, i cili nuk është aspak zhvillimor e në funksion të së mirës së përbashkët, por veç klientelist e në funksion të pasurimit të mëtutjeshëm të pushtetarëve dhe rrethit të tyre.

30 shtator 2014
Lëvizja VETËVENDOSJE, Qendra Malishevë

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat