KMDLNj: Të bëhet një zgjidhje për studentët e Matematikës

Lajme

KMDLNj: Të bëhet një zgjidhje për studentët e Matematikës

Më: 30 shtator 2014 Në ora: 15:34

KMDLNj pas një takimi që kanë pasur me ministrin e Arsimit, Ramë Buja, kanë biseduar për mundësitë që studentët e Departamentit të Matematikës të vijojnë studimet deri sa të bëhet akreditimi i cili nuk ishte bërë në afatin e paraparë për shkak të neglizhencës të atyre që kanë qenë përgjegjës për dorëzimin e aplikimit për akreditim.
Ministri Buja ndau shqetësimet me KMDLNj-në duke mbështetur të drejtën e studentëve mirëpo theksoi se Agjencioni Kosovar për Akreditim është institucion i pavarur prandaj MASHT nuk ka të drejtë të ndërhyjë në punët e këtij institucioni dhe nuk do të ndërmarr asnjë veprim i cili do të cenonte pavarësinë e AKA.

Sipas njoftimit të dërguar nga KMDLNj, në të njëjtën kohë ministri Buja shpreh gatishmërinë të ndihmojë studentët të mos mbesin pa u regjistruar gjithnjë duke respektuar ligjin.

Pasi rektori i Universitetit “Hasan Prishtina”, Ramadan Zejnullahu shpreh gatishmërinë që të mbajë ligjërata për këta studentë pa pasur nevojë të kompensohen dhe pasi ministri Buja gjithashtu tregoi gatishmëri të ndihmojë për aq sa i lejohet MASHT –it, KMDLNj ka kontaktuar Agjencionin Kosovar për Akreditim në mënyrë që të bëhet një zgjidhje për studentët e Departamentit të Matematikës që kanë mbetur pa u regjistruar (pa fajin e tyre) në mënyrë që të bëhet një zgjidhje emergjente deri sa të bëhet një zgjidhje e përhershme.

Nga AKA kanë konfirmuar se po bëjnë përpjekje që me një procedurë të përshpejtuar ta bëjnë vlerësimin e gjendjes në Departamentin e Matematikës në mënyrë që të bëhet akreditimi nëse i plotësojnë kushtet e parapara me ligj.
KMDLNj vlerëson se AKA ka treguar vullnet të madh dhe gatishmëri të kontribuojë që studentët e paregjistruar të Departamentit të Matematikës të fitojnë të drejtën për të vazhduar studimet pasi që komisioni për vlerësim të gjendjes në këtë Departament do të bëjë vlerësimet deri në fund të kësaj jave.

KMDLNj shpreson se kjo çështje do të zgjidhet për të mirën e studentëve duke u nisur nga parimi se e drejta për shkollim është njëra ndër të drejtat elementare të njeriut njëkohësisht shpreh respekt dhe përkrahje për institucionet që janë angazhuar për zgjidhjen e këtij problemi siç janë Rektorati i Universitetit “Hasan Prishtina” me rektorin Ramadan Zejnullahu, MASHT me Ramë Buja, ministër në detyrë dhe Agjencionin Kosovarë për Akreditim me Ferdije Zhushi – Etemi si drejtuese e këtij institucioni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat