Çeku: Tentimet e Blloku nuk janë ligjore, as burrërore

Lajme

Çeku: Tentimet e Blloku nuk janë ligjore, as burrërore

Më: 30 shtator 2014 Në ora: 10:32

Ministri në detyrë i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku i cili është edhe anëtari i Kryesisë së PDK-së, në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të gjejnë forcë dhe të ngrihen mbi interesat personale të liderëve të tyre dhe t’i bëhen partner PDK-së për krijimin e institucioneve të reja.
Ai ka theksuar se bllokada të cilën e ka krijuar blloku është e pakuptimtë pasi ata duhet ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Besoj se do të duhet të gjendet një zgjidhje. Vërtetë nuk ka kuptim një bllokadë e tillë që blloku që është formuar për ta bllokuar dhe po e bllokon krijimin e institucioneve. Mendoj se deputetët do të gjejnë forcë që të ngrihen mbi interesat personale të liderëve të tyre dhe ta respektojnë votën e qytetarëve në radhë të parë dhe ta respektojnë ligjin, kushtetutën, ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe t’i bëhen partner PDK-së, ata që dëshirojnë dhe t’i formojmë këto institucione se vërtetë mos ka kuptim”, ka thënë Çeku.

Sipas tij, kjo që po e bënë Blloku LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje nuk është as burrërore, as ligjore. Andaj shpreson që kjo çështje të zgjidhet në zyrën e presidentes e cila sipas tij ka rol unifikues.

“Kjo që ata po tentojnë të bëjnë as nuk është ligjore, as nuk është burrërore. Një gjë e mirë që ka ndodh nëse ka diçka të mirë që ka ndodh ajo është që institucionet vendore po funksionojnë. Nuk ka përfshirje të faktorit të jashtëm që të gjendet zgjidhje nga jashtë... Presidentja është duke e luajtur rolin e saj si faktor unifikues. Kam besim të plotë se zgjidhja e këtij ngërçi politik do të gjendet brenda zyrës së presidentes apo presidentja së bashku me liderët politik do ta zgjidhin”, ka shtuar Çeku.

Ndryshe, Çeku ka thënë se nëse PDK-ja do të jetë partia e cila do t’i krijoj institucionet në këtë mandat, ka dëshirë që sërish të jetë ministër i FSK-së në ditën kur të aprovohen ndryshimet kushtetuese dhe kur FSK-ja të bëhet Forcë e Armatosur. Megjithatë, Çeku ka thënë se kjo varet nga kryeministri dhe se secilën detyrë që ia dorëzojnë e kryen, pasi punon me logjikën e ushtarakut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat