Deklarimi i Kryetarit Albin Kurti pas takimit me Presidenten Ahtifete Jahjaga

Lajme

Deklarimi i Kryetarit Albin Kurti pas takimit me Presidenten Ahtifete Jahjaga

Më: 30 shtator 2014 Në ora: 09:40

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, bashkë me deputetin Visar Ymeri, u takuan me Presidenten e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga. Më poshtë mund ta gjeni deklarimin e Albin Kurtit pas këtij takimi, si dhe përgjigjet në pyetjet e gazetarëve.

“Presidentja ishte e interesuar për mendimin dhe qëndrimin tonë se si është më së miri që të dalim nga kriza institucionale, përkatësisht të bëhet zgjedhja e Kryeparlamentarit.

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka shprehur qëndrimin e saj të qartë moti se është e domosdoshme që në Republikën e Kosovës të kemi parlamentarizëm dhe demokraci. Parlamentarizmi dhe demokracia duhet të nisin, kultivohen, ndërtohen, zhvillohen e forcohen në seancat e Kuvendit të Republikës, përkatësisht në seancën konstituive.

Për ne është e papranueshme qysh vazhdon të pamundësohet debati në Kuvend të Republikës. Debatohet gjithandej, diskuton gjithkush, tërë kohën, mirëpo jo edhe 120 deputetët e Republikës që janë të thirrur më së shumti dhe më së pari ta bëjnë një gjë të tillë. Bëhet fjalë për Kryetarin e atyre deputetëve në Kuvendin e Republikës. Këta 120 deputetë janë pamundësuar edhe në seancën e 17 korrikut, përderisa udhëhiqej nga deputetja më e moshuar, e posaçërisht në seancën e fundit në shtator, që të debatojnë për zgjidhje.

Është detyrë, përgjegjësi dhe e drejtë e jona që në seancën konstituive, e cila po ndërpritet për të vazhduar, por po vazhdon për t’u ndërprerë e për të mos përfunduar, të fillojë debati kur ne diskutojmë për zgjidhje. Këta 120 deputetë duhet të debatojnë në seancën konstituive.”

1. Si e shihni seancën e dy tetorit?

Seanca e 2 tetorit për të qenë me të vërtetë demokratike dhe për ta pasur parlamentarizmin brenda duhet ta ketë debatin. Ky është insistimi ynë dhe ne besojmë se edhe Presidentja duhet ta luajë një rol në këtë aspekt, meqë seanca konstituive është seancë të cilën e ka thirrur Presidentja. Ajo duhet ta këshillojë deputeten më të moshuar që të mos e ndërpresë seancën, por ta lejojë debatin dhe 120 deputetët përmes debatit bashkërisht të gjejmë zgjidhen më të mirë duke ardhur tek një konkluzion.

2. A dha Presidentja ndonjë propozim?

Ajo nuk ka propozim. Po i dëgjon qëndrimet tona. Ne ia thamë edhe bindjen tonë të fuqishme që e kemi thënë kaherë se Republika Parlamentare e Kosovës në mandatin e fundit praktikisht është bërë Republikë qeveritare, ku kemi pasur shumë qeveri e pak Republikë. Prandaj, shteti i kapur i Kosovës nga kjo parti-shtet është e domosdoshme të çlirohet nga ky pushtet, dhe kësisoj të marrë frymë demokracia dhe parlamentarizmi.

I treguam po ashtu znj. Presidente, se nuk ka kurrfarë mosbashkëpunimi në skenën politike kosovare. VETËVENDOSJE!, LDK, AAK dhe Nisma kurrë nuk kanë bashkëpunuar më shumë. Është çështje tjetër që me PDK-në nuk po bashkëpunojmë. Pra, në krizë bashkëpunimi është PDK-ja. Asnjë prej subjekteve të tjera nuk ka pasur asnjëherë në historinë e vet më shumë bashkëpunim ndërparlamentar sesa sot. Sot është maksimumi i bashkëpunimit politik midis subjekteve në Kosovës. Dukuria e re pra, është që asnjëra nuk po bashkëpunon me PDK-në. Ky është faji i PDK-së. Po e theksoj PDK pra, e jo Kryeministri në ikje, sepse ne nuk kemi problem me një person. Ne nuk e kemi votuar as Agim Aliun, as Arsim Bajramin, për shkak se vinë nga një parti-shtet. Kur ke parti-shtet, ke parti pa shtet. Ne kemi nevojë për shtet republikan dhe momenti vendimtar është parlamentarizmi dhe demokratizimi i seancës së Kuvendit të Republikës.

3. Si mendoni ta zgjidhni Kryeparlamentarin?

Ju e keni parë që PDK-ja nuk po mundet. PDK dështoi. Dështoi edhe në të kaluarën, po dështon për çdo ditë, do të dështojë edhe më 2 tetor.

Në mandatin e kaluar na kanë çarë veshin duke na thënë “ju opozita mos flisni sepse nuk i keni numrat”. Vazhdimisht na thoshin se demokracia është çështje e numrave. E tash që i kemi ne numrat? Ç’u bë tash? Domethënë nuk kanë qenë të sinqertë as atëherë as tash. Vendimi i gjykatës në arsyetimin e vetë thotë se është e drejtë dhe detyrë e deputetëve që ta gjejnë zgjidhjen. Deputetët janë në parlament për të folur, por ju e keni parë që në seancën konstituive nuk po lejohet debati. Aty po flet vetëm një person. Nuk është demokraci atëherë kur flet veç një person.

29 shtator 2014

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat