Cliff: Ngërçi politik rrezikon MSA-në

Lajme

Cliff: Ngërçi politik rrezikon MSA-në

Më: 23 shtator 2014 Në ora: 22:21

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff ka thënë se faktori politik në Kosovë duhet t’i zgjidhë sa më shpejtë problemet për formimin e institucioneve të reja, në të kundërtën rrezikohet rruga e integrimit në Bashkim Europian (BE).
Cliff gjatë një debati të organizuar nga Demokracia për Zhvillim (D4D) ku u diskutua për situatën aktuale politike, tha se pas përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur, janë vendorët ata që duhet t’i zgjidhin vet problemet, pa ndihmën korit diplomatik në Kosovë.

Por, ai nuk la pa përmendur disa këshilla që ai i quajti “formale”, e të cilat kanë të bëjnë me paralajmërimet për rrezikun që shteti i Kosovës mund ta pësojë nga ky ngërç politik, në rrugën e tij të integrimit.

Ai përmendi vizitën e drejtorit për Ballkanin në Ministrinë e Jashtme të Britanisë së Madhe, Owen Jenkins në Kosovë, i cili pas takimeve që pati me përfaqësuesit politikë dhe institucional të vendit, u tha atyre që të zgjidhin sa më shpejtë problemin.

Cliff duke përmendur deklarimet e këtij zyrtari britanik, tha se mosmarrëveshja politike do të bëjë që shtete anëtare të BE-së të vlerësojnë se Kosova nuk është shtet serioz, dhe si i tillë nuk e meriton të nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

“Gjatë takimeve që drejtori britanik për Ballkanin pati me përfaqësues politikë në Kosovë, të gjithë ndanin të njëjtin mendim se pas kalimit nga pavarësia e mbikëqyrur, duhet që problemet politike të zgjidhen nga vet vendorët”, ka thënë Cliff, transmeton lajmi.net.

“Por, nëse kërkoni një këshillë formale, ne mund ta japim atë. Pra, nëse Kosova dëshiron të shkojë drejtë rrugës së saj të integrimit, e faza e parë që e pret në këtë rrugë është nënshkrimi i MSA-së, atëherë të gjithë politikanët në Kosovë duhet të shohin drejtë Brukselit dhe posaçërisht nga shtetet që nuk janë edhe aq dashamirëse ndaj Kosovës”.

“Ata me këtë do të kenë mundësi të thonë se Kosova nuk është një shtet i vërtet, nuk mund t’i zgjidh problemet e veta politike dhe për këtë arsye ne duhet ta ndalojmë nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit”.

Ambasadori britanik tha se problemi gjetjes së një marrëveshje politike do të ndikojë edhe në ndarjen e rrugëve të Kosovë dhe Serbisë për integrim, gjë që, sipas tij, do të lente vendin tonë shumë prapa në krahasim me palën tjetër.

“Ata gjithashtu mund të thonë se ne nuk mund ta ndalojmë rrugën e integrimit të Serbisë në BE, pasi që ajo nuk mund të ndëshkohet për problemet e politikanëve të Kosovës. Me këtë, do të ketë edhe një ndarje rrugëve të Serbisë në njërën anë dhe të Kosovës në anën tjetër. Është rrezik që në një rast të tillë, Kosovës do t’i caktohet një rrugë më e ngadaltë për integrim dhe Serbisë një rrugë më e shpejtë, gjë që mendoj se kjo nuk do të ishte mirë për Kosovën” ka thënë Cliff.

Në këtë debat ishin prezentë edhe përfaqësues tjerë diplomatik dhe të misioneve ndërkombëtare në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat