PDK heq dorë nga posti i Kryeparlamentarit por nuk tërhiqet nga pozita e Kryeministrit

Lajme

PDK heq dorë nga posti i Kryeparlamentarit por nuk tërhiqet nga pozita e Kryeministrit

Më: 23 shtator 2014 Në ora: 19:32

PDK i ofron postin e Kryekuvendarit LDK'së dhe shprehet e gatshme për bashkëqeverisje me të gjithë, por nuk heq dorë nga pozita e kryeministrit. Kandidati i saj për kryetar të Kuvendit i cili nuk mori votat e mjaftueshme, Arsim Bajrami, thotë se ky është kompromisi i vetëm që mund të bëjë PDK'ja, pasi nuk e kanë ndërmend të heqin dorë nga të drejtat kushtetuese.
Isa Mustafa do të mund të jetë kryeparlamentar me kusht që Hashim Thaçi të jetë shef i qeverisë. Kaq mund të bëjë Partia Demokratike e Kosovës për të tejkaluar ngërçin politik. Kandidati i fundit i PDK'së për kryeparlamentar, Arsim Bajrami, në emisionin Rubikon ka thënë se janë të gatshëm të votojnë Mustafën për kryeparlamentar, me kusht që blloku të mos presë më shumë.

"Ne duhet të kem marrëveshje, duhet të respektojmë Kushtetutën. Mustafa mund të bëhet Kryeparlamentar vetëm me propozimin e Partisë Demokratike, Grupit më të madh Parlamentar, në këtë mënyrë do të jetë i ligjshëm, do të jetë kushtetues. Çdo formë tjetër, atë do ta shtinte në një reciklim të shkeljes së Kushtetutës që jam i sigurt se ai nuk do ta pranoj", tha Bajrami.

Caktimin e seancës konstitutive për 2 tetor, Bajrami, i cili do të jetë sërish kandidat i PDK'së për kryeparlamentar, e ka arsyetuar me faktin se po u jepet hapësirë partive të reflektojnë dhe të heqin bllokadën ndaj PDK'së.

Ai ka ftuar partitë politike që të ulen dhe të bisedojnë, duke potencuar se nuk mund të krijohet asnjë qeveri pa PDK-në në të.

Bajrami ka thënë se zgjedhjet janë rruga e fundit, ndërsa ka akuzuar ish-deputetët e liderë politikë se për interesa vetjake kanë krijuar frymë urrejtje dhe bllokadë institucionale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat