Shpikjet e PDK-së, Kushtetutës dhe Presidencës, “Made in Kosova”

Lajme

Shpikjet e PDK-së, Kushtetutës dhe Presidencës, “Made in Kosova”

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 23 shtator 2014 Në ora: 13:32

Loja me Kuvendin e Kosovës nga deputetja më e moshuar, Flora Brovina dhe nga PDK-ja e kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi, paraqet lojë me sigurinë dhe me themelet e shtetit të Republikës së Kosovës, vlerëson analisti politik, Nehat Hyseni.

Ai thekson se, zhagitja e tepruar nga të gjithë ata që janë përgjegjës dhe të obliguar për sigurimin e funksionimit normal të shtetit dhe institucioneve demokratike, që përbëjnë treshin apo "triumviratin": PDK-Kushtetuese-Presidencë, i kanë bllokuar punimet e Kuvendit të Kosovës me shpikjen më tragjikomike në historinë bashkëkohore të shtetndërtimit dhe të kushtetutshmërisë e ligjshmërisë në demokracinë bashkëkohore.

“Kjo shpikje mban brendinë "Made in Kosova", sipas të cilës fituese e zgjedhjeve na qenka partia që fiton shumicën relative, e jo absolute dhe se të drejtën për propozim të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës na e paska vetëm PDK dhe askush tjetër! Rrjedhimisht, kjo nënkupton imperativin: ose do të qeverisë me vendin PDK, ose do të kallet dynjaja!”, thotë Hyseni për gazetën “Bota sot”.

Ai shton se, zgjidhje tjetër nuk paska?! Gjendja shpirtërore e ndjenjës së pafshehur të triumfalizmit në kohën e dëmtimit dhe bllokimit të shtetit të vet do të ishte komik, por mjerisht në kushte të krijimit të rethanave tragjike për shtetin e Kosovës!

“Porosia dhe kërcënimi njëkohësisht ishin më se eksplicitë: "Shteti jemi ne (PDK) dhe askush tjetër! Duke vazhduar pastaj me shumë pompozitet e "madhështi" tragjikomike të deklaroj se si ata i kishin përgatitur kurthet dhe gjymtimet e një sistemi të "kastruar", qoftë në legjislacion apo në institucione, që do t'ia siguronin pafundësisht qëndrimin në pushtet garniturës së tanishme qeverisëse. Kështu, në mënyrë të papërmbajtshme shpërtheu në sipërfaqe sindromi i ndërlikueshmërisë së transferit demokratik të pushtetit në bazë të shumicës së votës së popullit. Ky sindromë karakteristik për sistemet totalitare (komuniste), kur mendohej se pushteti mund të ndryshoj vetëm me dhunë, e kurrsesi me votën e lirë, duhet të merr fund”, thotë ai.

Hyseni thekson s,e (vetë) bllokimi i shtetit edhe ashtu të brishtë të Republikës së Kosovës është tejet i dëmshëm dhe i papranueshëm dhe nuk mund të ketë kurrfarë arsyetimi për bllokuesit.

“Andaj, qysh në fillim të javës, Koalicioni LANV duhet ta merr mendimin nga zonja Brovina se si e ka hallin, a donë apo jo ta thërrasë mbledhjen konstituive dhe ta udhëheq si duhet, apo të thirret mbledhja nga ky koalicion dhe të shkarkohet zonja Brovina dhe të vazhdohet puna normale e Kuvendit të Kosovës. Sepse, tek e fundit askush nuk mund të jetë mbi shtetin, kushdo qoftë ai apo ajo dhe lojë me shtetin, për çfarëdo interesi, nuk mund të ketë”, thekson Hyseni.

Ai potencon se, asnjë tentativë bllokuese e funksionimit të këtij shteti nuk do ta ketë mbështetjen e këtij populli e as të botës demokratike dhe miqve tanë ndërkombëtarë.

“Andaj, sa më parë që të këndellemi dhe të veprojmë sipas pikës 127 të Aktvendimit të Kushtetueses, sipas të cilës deputetëve të Kuvendit të Kosovës u është lënë e drejta dhe obligimi për gjetjen e zgjidhjes për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit dhe Qeverisë së re. Sepse, populli i Kosovës, në mënyrë dinjitoze e dha provimin e demokracisë dhe kulturës së lartë politike në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit 2014, kurse liderët e papërgjegjshëm politik po e bllokojnë pamëshirshëm konstituimin dhe funksionimin e Kuvendit të Kosovës, edhe pse është krijuar mazhoranca e qartë qeverisëse e Koalicionit LDK-AAK-Nisma, që numëron 63 deputetë, kurse me minoritetet ata kanë 83 deputetë, dmth 2/3 e deputetëve të Kuvendit, kurse PDK ka më pak se 1/3 e deputetëve”, pohon ai.

Ai shton se, gjërat janë tepër të qarta dhe pa marrë parasysh se a na pëlqejnë apo jo, ato nuk mund të fshihen apo të interpretohen ndryshe.

“Meqë kanë kaluar pothuajse katër muaj nga zgjedhjet dhe kemi ardhur në "vijën e kuqe" të afateve që do e presin Qeverinë e re lidhur me përgatitjen e Propozimbuxhetit për vitin 2015, si dhe me nxjerrjen e vendimeve dhe ligjeve lidhur me formimin e Gjykatës Speciale, të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të reflektojnë konform rrethanave aktuale, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre partiake, sepse kemi të bëjmë me interesat vitale të shtetit, të cilat kurrsesi nuk guxojmë t'i neglizhojmë e as t'i anashkalojmë”, thotë Nehat Hyseni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat