Prizren, jo shkeljeve dhe buxhetit të varfërisë!

Lajme

Prizren, jo shkeljeve dhe buxhetit të varfërisë!

Më: 22 shtator 2014 Në ora: 20:28

Ne si grup i kuvendarëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! kemi kundërshtuar shumë ashpër buxhetin 2015-2017 të miratuar në seancën e fundit të Kuvendit Komunal të Prizrenit, sepse është buxhet që garanton varfëri e mjerim.

Duke pasur parasysh premtimet që janë bërë gjatë fushatës për një ekonomi të zhvilluar, kjo qeveri nuk i ka përmbushur as kërkesat minimale për zhvillimin e ekonomisë, duke ndarë vetëm 3.11% të buxhetit, ndërsa Drejtoria e Shërbimeve Publike merr 9.65 % nga buxheti që tregon për një qeveri tenderiste, tenderë të cilët favorizohen firmat e afërta me PDK të cilat më vonë ia financojnë fushatën zgjedhore. Kjo tregon paaftësinë e qeverisë për një strategji të zhvillimit ekonomik.

Për Drejtorinë e Kulturës dhe Sportit janë ndarë vetëm 6.16 % të buxhetit. Kjo drejtori prej pas luftës është udhëhequr nga pakicat. Mbi 60% e buxhetit të saj të vogël ndahet për shoqëritë e pakicave kur dihet shumë mirë se si është raporti i popullsisë në mes shqiptarëve dhe pakicave. Kjo paraqet edhe diskriminim të shumicës.

Absurditeti i këtij buxheti është edhe ndarja e 3.06 % për Drejtorinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, kur kihet parasysh se një pjesë shumë e madhe e qytetarëve të komunës sonë jetojnë nga bujqësia dhe blegtoria.

Buxheti për zyrën e Kryetarit të Komunës nga ai paraprak është rritur për 42.27 % ndonëse nuk janë shtuar nevojat për rritje, përpos nëse nevojë konsiderohet superluksi.

Nga ana tjetër vetëm për hartimin e projekteve për 3 vitet e ardhshme janë ndarë 1.460.000.€ Kjo tejkalon buxhetin e shumicës së drejtorive. Po të punësoheshin 4 arkitektë dhe profesionistë të profilizuar, atëherë do të kurseheshin 95 % e këtyre të hollave.

Ne kemi vërejtur shumë shkelje edhe në punësimin të mësimdhënësve në drejtorinë e arsimit, drejtori e cila e ka ulur tmerrësisht nivelin e arsimit dhe të sigurisë në këto vite. Mosmarrja në konsideratë e 20 pikave që Lëvizja VETËVENDOSJE! i ka propozuar tregon shumë qartë se kjo qeveri nuk e ka në plan zhvillimin ekonomik të Komunës sonë.

Gjithashtu në seancën e fundit është vërejtur haptazi për keqpërdorimet që po bëhen sa i përket dhënies në shfrytëzim të pronës Komunale. Si duket kjo klikë qeverisëse nuk ka mësuar asgjë nga vendimi i gjykatës ndaj Ramadan Mujës dhe vazhdojnë me keqpërdorimin e pronës publike. Në seancën e fundit pika 9 e rendit të ditës është futur pa kurrfarë paralajmërimi, në të cilën u pa haptazi blerja e asambleistëve për interesat e një klani të ngushtë te ekzekutivit.

Lëvizja VETËVENDOSJE! është duke mbledhur materialin e nevojshëm rreth kësaj pike dhe shumë shpejtë do te dalim me një komunikatë në lidhe me keqpërdorimet e mundshme rreth kësaj prone. Keqpërdorime ka pothuajse në te gjitha drejtoritë komunale. Dhe kjo është për t’u brengosur sinqerisht!

Prizren, 22 shtator 2014
Drita Millaku
Këshilltare e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kuvendin Komunal të Prizrenit

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat