Albin Kurti e Dardan Molliqaj ftohen që të paraqiten në Polici

Lajme

Albin Kurti e Dardan Molliqaj ftohen që të paraqiten në Polici

Më: 22 shtator 2014 Në ora: 15:38

Lëvizja VV njofton se ditëve të fundit ka patur kërkime policore mbi aktivistët e saj lidhur me aksionet politike të realizuara tash vonë dhe një pjesë tjetër para më shumë se 5 vitesh.

Në ditët e fundit në mënyrë shqetësuese është shtuar kontrolli dhe kërkimi policor mbi aktivistët Lëvizjes VETËVENDOSJE! Në të gjitha qendrat e Kosovës ka pasur kërkime për një numër aktivistësh, qoftë në zyrat e Lëvizjes, apo në shtëpitë e tyre. Kërkimet policore janë të lidhura me aksionet politike të Lëvizjes tonë të realizuara tash vonë dhe një pjesë tjetër para më shumë se 5 vitesh.

Kështu, aktivistëve: Nora Fetoshi , Etleva Malushaj , Marigone Drevinja, Albin Kurti, Dardan Molliqaj, Zgjim Hyseni, Frashër Krasniqi, Valdrin Ahmeti, Nol Nushi, u janë dërguar ftesa, apo janë marrë në telefon për t’u paraqitur në polici. Ndërsa aktivistja Brikena Ramabaja është kërkuar disa here në shtëpi dhe në zyrën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Dardanë.

Si rezultat i gjithë kësaj `gjuetie` policore mbi aktivistët tanë sot u arrestua Kushtrim Dakaj, i cili ishte duke pirë kafe para zyrës qendrore të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Ai u arrestua nga 3 policë, të cilët i priste makina me dy të tjerë, pa e sqaruar fare se po e arrestojnë dhe pse po e arrestojnë.

Këto veprime të policisë ne i konsiderojmë presion politik të Qeverisë në ikje mbi Lëvizjen VETËVENDOSJE! si formë e shantazhit, e kërcënimit dhe e hakmarrjes lidhur me zhvillimet e fundit politike në vend. Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon nga organet e rendit, Policia dhe Gjyqësia që të ndalojnë me kërkimet dhe arrestimet e aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! e të mos bëhen vegël e një pushteti skajshmërisht të korruptuar, i cili nuk zgjedh mjet për të mbetur në pushtet`, thuhet në komunikatën e VV-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat