Mjekësia familjare s’po funksion as në letra

Lajme

Mjekësia familjare s’po funksion as në letra

Më: 22 shtator 2014 Në ora: 10:10

Në Komunën e Pejës ekzistojnë 22 ambulanca, prej të cilave gjashtë në qytet e tjerat në fshatra, por në asnjërën asnjë mjek nuk ka pacientë të rregullt me sistemin e karteleve ku evidentohet edhe historia e pacientit
Tentativat për funksionalizimin e sistemit të mjekësisë familjare në Pejë kanë shkuar huq që dhjetë vjet. Problemet janë ndër më të ndryshmet. Sidomos mungesa e praktikimit të sistemit të karteleve regjistruese të pacientëve po e pamundëson funksionalizimin e mjekësisë familjare ashtu si është e shkruar në letër.

“Sistemi i karteleve, lista e pacientëve dhe programi i intranetit që lidh mes veti të gjitha ambulancat janë kyçe për funksionimin e mjekësisë familjare. Por asnjë prej tyre nuk po funksion”, thotë për gazetën Tribuna, Islam Husaj, specialist familjar dhe trajnues e koordinator në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Pejë. Një prej arsyeve pse ky sistem nuk funksionon, sipas tij është mungesa e të dhënave për adresa dhe vendbanime të pacientëve në kartat e identitetit.

“Ata vijnë në një ambulancë të kontrollohen e thonë se janë banorë të lagjes ku gjendet ambulanca. E ne nuk mundemi ta konfirmojmë a është ashtu”, thotë Husaj. Drejtori i QKMF-së Hekuran Tigani, shpreson se ky problem mund të eliminohet dhe sistemi i karteleve të pacientëve të funksionalizohet nëse fillon nga janari i vitet të ardhshëm zbatimi i sigurimit shëndetësor.

Vetëdijesimi

“Të dhënat në kartelë të sigurimeve futen në data bazë dhe pastaj çdo mjek e din nga është pacienti dhe mund të lidhet me mjekun e tij në vendbanimin ku jeton. Pastaj duhet edhe të bëhet edukimi dhe vetëdijesimi i popullatës që të kërkojnë së pari shërbime mjekësore në ambulancën ku jetojnë e jo diku tjetër”, thotë Tigani. Mungesa e vetëdijesimit të qytetarëve vërehet në disa ambulanca të qytetit, ku gati gjysma e pacientëve që kërkojnë shërbime mjekësore vijnë nga fshatrat apo lagjet tjera.

Adem Eminaj, specialist i mjekësisë familjare në ambulancën në lagjen Fidanishte, tregon për gazetën Tribuna se rreth 40 për qind e pacientëve janë nga fshati. “Çdo mjek do të duhej t’i ketë 2.500 pacientë në vit, por në ambulancën tonë ka mjekë që i kanë edhe 6 mijë pacientë gjatë vitit”, thotë Eminaj. Brenda një viti në këtë ambulancë pranojnë shërbime mjekësore rreth 25 mijë pacientë, ndonëse lagja Fidanishte nuk ka më tepër se pesë mijë banorë.

“Është e vërtet se kemi shumë pacientë nga fshati. Vetëm në muajin gusht një mjekë në Pejë ka kontrolluar mesatarisht 500 pacientë. Kurse në gjashtë ambulanca të Pejës gjatë gushtit shërbime mjekësore kanë marrë mbi 9 mijë pacientë”, tha drejtori i QKMF-së, Hekuran Tigani.

Mungojnë barnat

Ky fakt nuk e befason mjekun familjar, Sadri Dervishaj, që punon në ambulancën në Novosellë, fshat me afër dy mijë banorë. Mirëpo, sipas tij, faji nuk qëndron vetëm të mos praktikimi i karteleve mjekësore të pacientëve, por edhe te mungesa e materialit elementar mjekësor për kontrollim dhe medikamenteve esenciale në ambulanca në pjesët rurale. Madje siç thotë ai nuk ka mjaftueshëm as medikamente për trajtimin e rasteve urgjente, siç është alergjia dhe shoku.

“Pacienti vjen një herë dhe kur s’ke për t’i ofruar më tepër se një kontrollim të zakonshëm, ai nuk vjen më dhe shkon në Pejë”, thotë Dervishaj. Medikamentet esenciale nuk mungojnë vetëm në 16 ambulanca të fshatrave por edhe në ambulancat e qytetit. E për mungesën e tyre drejtori i QKMF-së fajëson Ministrinë e Shëndetësisë. “Asnjëherë nuk na vijnë të gjitha barnat që i kërkojmë”, thotë Tigani.

Jo vetëm që paketat e ministrisë vijë gjysmë të zbrazëta, ato edhe vonohen me javë të tëra derisa dërgohen. Përveç barnave esenciale, në ambulancat jashtë QKMF-së nuk gjen as aparate oksigjeni, EKG e as Defiblirator, të cilat ishte dashtë t’i ketë secila ambulancë pavarësisht se ku gjendet, në qytet apo fshat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat