Bosnja ndjek penalisht policët serbë për gjenocidin e Srebrenicës

Lajme

Bosnja ndjek penalisht policët serbë për gjenocidin e Srebrenicës

Më: 22 shtator 2014 Në ora: 10:01

Prokuroria e Bosnjës ngriti një aktakuzë kundër ish-oficerëve të policisë serbe të Bosnjës, Miodrag Josipoviq dhe Branimir Tesiq për gjenocid në Srebrenicë, në korrik 1995.

Josipoviq, ish-shef i Policisë Komunale në Bratunac në Stacionin për Sigurinë Publike, i cili punoi gjithashtu në zyrat qendrore në Zvornik dhe Tesiq, ish-komandant i Policisë në Bratunac, u akuzuan për nxitje dhe mbështetje me dashje të përgatitësve të gjenocidit nga 12 deri më 19 korrik 1995.

Prokuroria boshnjake tha se Josipoviq dhe Tesiq morën pjesë në mbikëqyrjen e dëbimit me forcë të popullatës civile nga Potoçari pranë Srebrenicë, duke i ndarë burrat nga familjet dhe në transportimin dhe burgosjen e më shumë se 1000 meshkujve boshnjakë më 12-13 korrik.

Shumica e burrave që ishin ndarë nga familjet u transportuan në Bratunac dhe u mbyllën në shkollën fillore "Vuk Karadzic" në një hangar dhe në stadiumin e Bratunacit.

Për shkak të numrit të madh të të burgosurve, shumë burra boshnjakë u mbajtën në autobusë dhe kamionë gjatë natës, të cilët ishin parkuar në rrugë në Bratunac dhe ruheshin nga oficerë të Stacionit për Sigurinë Publike.

Sipas aktakuzës, të paktën 150 burra u vranë gjatë natës së 13 korrikut 1995.

Në mëngjesin e 14 korrikut, pretendohet se Josipoviq dhe Tesiq, në dijeni të faktit që boshnjakët nga Bratunaci po çoheshin në vende ekzekutimi në Zvornik, organizuan një eskortë për të transportuar me masa sigurie të burgosurit.

I pandehuri Tesiq gjithashtu urdhëroi që pesë burra të burgosur të nxirreshin nga hangari dhe të çoheshin me autobus në Orahovac, vendin ku do të ekzekutoheshin, thotë aktakuza.

Pasi të gjithë burrat e burgosur u larguan nga Bratunaci, trupat e të vdekurve u mblodhën dhe u varrosën në një varr masiv në fshatin Glagova në komunën Bratunac.

Aktakuza iu dërgua gjykatës së Bosnjës për miratim.

Më 8 shtator, gjykata boshnjake urdhëroi mbajtjen e Tesiqit për një muaj në burg për shkak se ai mund të largohej dhe mund të ndikonte te dëshmitarët dhe bashkëpunëtorët, ndërsa Josipoviq u ndalua të largohej dhe të kontaktonte me të tjerët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat