Vendet që ndaluan Zotin me ligj. Shqipëria nuk ishte e vetmja

Lajme

Vendet që ndaluan Zotin me ligj. Shqipëria nuk ishte e vetmja

Më: 21 shtator 2014 Në ora: 09:49

Ateizmi i sanskionuar në kushtetutën e vendit dhe dhuna e pashembullt ndaj klerikëve ka qenë një nga anët më të errëta të diktaturës komuniste në Shqipëri.
Por edhe pse thuhet se Shqipëria ishte i vetmi vend atesit në botë, historia tregon se kjo praktikë u ndoq për herë të parë gjatë Revolucionit të Famshëm Francez, pasuar më vonë nga Revolucioni Meksikan, si dhe shtetet e tjera të kampit komunist, sidomos Bashkimi Sovjetik nën drejtimin e Stalinit në periudhën 1929-39, transmeton Oranews.

FRANCA: Gjatë revolucionit francez pati një fushatë të madhe për zhdukjen e krishtërimit, pavarësisht se Franca ka qenë dhe mbetet një ndër vendet më të lidhura me besimin katolik. Më tepër se një proces i organizuar, ai erdhi si rezultat i një sërë masash dhe politikash të ndjekura nga disa qeveri franceze.

Me të filluar revolucioni, e deri në vitin 1801, nisi një fushatë për denigrimin dhe zhdukjen e praktikave të fesë katolike.

MEKSIKA: Sot, Meksika është një nga vendet më katolike në botë, por në kushtetutën e vitit 1917, kishte disa nene që shpreheshin kundër klerit dhe e kufizonin fuqimisht lirinë fetare. Fillimisht masat kundër klerit ishin sporadike, por më 14 qershor 1926, Presidenti Kajes nxori një dekret të posaçëm duke shpallur të jashtëligjshme fenë. Për shkak të ligjeve anti fetare, zonat me besim të fortë katolik, sidomos shtetet, Halisko, Zakatekas, Kolima e Miçoakan iu kundërvunë Kajesit, çka çoi në një luftë trevjeçare në periudhën 1926-29

KINA: Pas revolucionit komunist në Kinë, në vitin 1949, vija e partisë ishte që feja duhej zhdukur dhe bashkë me të, edhe feudalizmi dhe kolonializmi i huaj. Gjatë revolucionit kulturor, Garda e Kuqe, e përbërë nga studentë vullnetarë, mësyu në objektet e kultit duke i shkatërruar ose shndërruar në shtëpi kulture. Gjërat u qetësuan pak në fund të viteve 1970 dhe në kushtetutën e re të vitit 1978, liria e besimit fetar garantohej me ligj. Megjithatë, Partia Komuniste ishte e qartë në një pikë: bindjet komuniste nuk përputheshin aspak me ato fetare.

BASHKIMI SOVJETIK: Në vitin 1922, Bashkimi Sovjetik, nën doktrinën markiste “Feja është opium për popullin” dekretoi ligjin Bezbozhnik (Pa Zot). Në 12 vitet e ardhshme, 28% e kishave ortodokse, 42% e xhamive dhe 52% e sinagogave u mbyllën. Ateizmi shtetëror në Bashkimin Sovjetik kishte për synim ndërprejren absolute të praktikimit të feve në vend. Në periudhën 1922-26, plot 28 peshkopë ortodoksë dhe më shumë se 1200 priftërinj u ekzekutuan, ndërsa shumë të tjerë u interrnuan.

KOREA E VERIUT: Qeveria e Koresë së Veriut është sot zbatuese e asaj që quhet feja politike, duke vendosur në qendër të shoqërisë kultin e liderit Kim Jong Un. Gjithsesi, ideologjia e përdorur prej tij, dhe më parë prej babait e gjyshit të tij është përkufizuar si ateizëm shtëtëror. Edhe pse në kushtetutë liria fetare është e garantuar, aktivitetet fetare nuk janë më të lejuara. Lëvizja ultranacionaliste e Koresë së Veriut, i bën thirrje njerëzve që të shmangin ndërhyrjet e jashtme, qoftë edhe fetare, që vetëm sa përçajnë vendiny. Në nëntor 2013, përndjekja arriti kulmin me ekzekutimin e 80 personave, disa vetëm me akuzën se kishin një Bibël në shtëpi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat