Ja kush është Papa 77-vjeçar që ka rrëmbyer zemrat e botës!

Lajme

Ja kush është Papa 77-vjeçar që ka rrëmbyer zemrat e botës!

Më: 21 shtator 2014 Në ora: 09:07

Horge Mario Bergoljo u zgjodh Papa i 266-të i Kishës Katolike më 13 Mars 2014, në ditën e dytë të Konklavës që u mblodh pas dorëheqjes së BenediktitXVI. I lindur në Buenos Aires në vitin 1936, me të dy prindërit emigrant italianë, para se të merrte pozicionin më të lartë në Kishën Katolike ai ka shërbyer si Kardinal i Kishës Katolike Argjentinase nga viti 2001 deri në vitin 2013.

Ai është Papa i parë jo evropian pas më shumë se 1000 vitesh dhe është i pari nga urdhri Jezuit. Që në momentin e parë të përzgjedhjes, Papa bëri mjaft përshtypje me stilin e tij të thjeshtë.

Ndryshe nga Papët paraardhës ai u shfaq në ballkonin e Katedrales së Shën Pjetrit, i veshur vetëm me rasën e bardhë dhe pa mantelin e kuq që simbolizon autoritetin e Papës. Me po aq thjeshtësi ai i uroi të pranishmit mirëmbrëma!

Pas darkës me kardinalët ai nuk pranoi të udhëtonte me makinën e Papës, por u kthye në hotel duke udhëtuar në të njëjtin autobus me kardinalët e tjerë. Të nesërmen në mëngjes, pas një vizite në Kishën e Shën Mërisë, i kërkoi shoferit të ndalonte në hotelin ku kishte qëndruar në ditët para Konklavës, për të paguar dhomën.

Pse mban emrin Fançesku

“Disa nuk e dinin pse Ipeshkvi i Romës ka dashur të quhet Françesku. Kishte nga ata që mendonin për Françesko Saverion, Françesko di Sales, por edhe për Françeskon e Asizit. Do t’jua e tregoj unë historinë. Gjatë zgjedhjeve unë kisha pranë arqipeshkvin e Sao Paulos, Kardinalin Klaudio Humes: mik i mirë, mjaft i mirë! Kur u kuptua se ishte zgjedhur Papa ai më përqafoi dhe më tha: ‘mos i harro të varfrit’. Dhe ajo fjalë më mbeti në mendje. Dhe menjëherë, në lidhje me të varfrit m’u kujtua Françesko i Asizit. Kështu zgjodha këtë emër, të njeriut të varfërisë, paqes… Ah, sa do të doja edhe unë një Kishë të varfër dhe për të varfrit!” sqaron ai.

Papa ka kaluar një rini me motor dhe vallëzime

Në rini Papa ka qenë pronari i një motori “Harley Davidson”, i cili u shit vetëm para pak kohës në ankand për 241 mijë dollarë, para këto që shkuan për bamirësi, për ndërtimin e një mense për të varfrit në Romë.

Dhe nëse do t’ju vijë rasti t’i afroheni gjatë vizitës së tij në Tiranë, mos ngurroni të nxirrni telefonin për të bërë një selfie, pasi nuk do të thoshte “jo”. “Papa është një njeri që qesh, qan, flenë mirë dhe ka miq si të gjithë të tjerët: një person norma”, tha ai për mediet italiane para pak kohësh.

Personi i vitit nga “The Times”

Papa u zgjodh Njeriu i Vitit nga revista “Time”, e cila e vlerësoi Atin e Shenjtë si një person mjaft të dashur për publikun, që ka treguar përulësi në detyrën e tij pavarësisht se kryeson organizatën më të vjetër në historinë e botës dhe ka më shumë se 1 miliardë e 200 milionë ndjekës në të gjithë botën.

Homoseksualët, Papa: Kush jam unë për të gjykuar

Edhe pse në vitet e rinisë në Argjentinë, si një prift i ri, ai shihej si konservator, duke qenë se sulmonte ashpër legalizimin e martesave mes homoseksualëve, gjatë kthimit nga Brazili, në një konferencë shtypi të pazakontë në avion, Papa çuditi të gjithë me shprehjen e famshme “Kush jam unë për të gjykuar!”

“Nëse një person është gay, por sërish është në kërkim të Zotit, e ka dëshirë të mirë, kush jam unë për të gjykuar? Mjaft bukur këtë e shpjegon katekizmi i Kishës Katolike… Këto persona nuk duhet të marxhinalizohen për këtë arsye!”, tha ai.

Një tjetër veprim mjaft fisnik i tij mund të konsiderohet edhe larja e këmbëve të 12 të rinjve të burgosur në Romë, si pjesë e një rituali para festës së pashkëve. Duke thyer traditën, Papa kishte mes 12 të rinjve edhe dy femra, ku njëra prej së cilave ishte një serbe myslimane.

“Mes nesh, ai që qëndron më lart duhet t’i shërbejë të tjerëve. Ky është një simbol, është një shenjë, larja e këmbëve tuaja do të thotë që jam në shërbimin tuaj”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat