Tmava: Vendimi për imamet, skandaloz

Lajme

Tmava: Vendimi për imamet, skandaloz

Më: 20 shtator 2014 Në ora: 09:31

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar të premten kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për ta shqiptuar masën e paraburgimit prej një muaji për imamin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqin dhe 13 të dyshuarve të tjerë, disa prej të cilëve janë imamë nga disa qytete të Kosovës.

Në një komunikatë për medie të lëshuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Prokuroria Speciale i ngarkon të dyshuarit, pos të tjerash, me dyshime për shpëlarje të parave, financim të terrorizmit, shtytje për kryerje të veprave terroriste, rekrutim për terrorizëm, thirrje për rezistencë, organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.

Avokatët mbrojtës e kanë kundërshtuar caktimin e kësaj mase për klientët e tyre, duke thënë se ka qenë e padrejtë dhe e ndikuar nga jashtë.

Bajram Tmava, avokat i imamit Shefqet Krasniqi, ka deklaruar për “Epokën e re” se ky vendim ka qenë skandaloz.

“Ky është vendim skandaloz. Paraburgimi është masa më e rëndë e sigurisë me të cilën sigurohet prania e të dyshuarit në procedurë. Nëse edhe në këtë rast klienti im me sjellje njerëzore dhe intelektuale nuk i ka plotësuar kushtet që të zbatohen masat e tjera alternative, atëherë unë nuk di se cili rast ka për t’i përmbushur ato kushte”, ka thënë Tmava.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat