Haradinaj: Vizita e Papës në Tiranë - historike

Lajme

Haradinaj: Vizita e Papës në Tiranë - historike

Më: 19 shtator 2014 Në ora: 21:33

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e konsideron të rëndësisë së veçantë dhe historike, vizitën që këto ditë do ta bëjë në Shqipëri Ati i Shenjtë, Papa Françesko.
“Pas vizitës së Papa Gjon Palit II, në vitet '90, ardhja e Papa Françeskut në tokën shqiptare shënon një moment tjetër të rëndësishëm të raporteve të ngrohta dhe të afërta midis shqiptarëve dhe Vatikanit, midis kombit tonë dhe botës perëndimore, në përgjithësi.

Shqiptarët, si popull me harmoni dhe mirëkuptim historik ndërmjet besimeve, i kanë botës dhe krishterimit, po ashtu, njerëz të mëdhenj, që në kohë të ndryshme me kontributin e tyre u shquan në mbrojtjen dhe sublimimin e vlerave të vërteta njerëzore.

Shqiptarët, në këto relacione, i kanë dhënë Evropës dhe qytetërimit perëndimor, heroin kombëtar dhe të Evropës, Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, e në ndërkohë dijetarët mëdhenj të shekujve, si Pjetër Bogdani, e deri te humanistja e madhe, Nënë Tereza.

Vizita e këtyre ditëve e shenjtërisë së Tij, Papa Françeskut, do ta farkojë edhe më tej afërsinë shqiptare dhe përkushtimin tonë ndaj vlerave të lirisë, paqes, humanizmit, tolerancës dhe mirëkuptimit midis njerëzve dhe bashkëpunimin e drejtë me Vatikanin dhe mbarë botën perëndimore”, thuhet në urimin e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat