Arsim Bajrami: Do t’i bënte nder institucioneve të vendit, zgjedhja e Isa Mustafës si kryeparlamentar!

Lajme

Arsim Bajrami: Do t’i bënte nder institucioneve të vendit, zgjedhja e Isa Mustafës si kryeparlamentar!

Më: 19 shtator 2014 Në ora: 17:53

Pretendenti për kreun e Kuvendit nga koalicioni parazgjedhor i PDK-së, akademik Arsim Bajrami ka thënë se zgjedhja e kandidatit të LDK-së, akademik Isa Mustafës si Kryetar i Kuvendit, do t’i bënte nder institucioneve të vendit. Ai madje ka thënë se me shumë kënaqësi do të mbështeste kandidaturën e tij. Por këtë, me bllokun pazgjedhur, thotë se nuk ia lejon kushtetuta.
“Kushtetuta e Kosovës pamundëson që propozimi të bëhet nga ndonjë grup tjetër parlamentar, që nuk është grupi më i madh parlamentar”, ka thënë akademik Arsim Bajrami, në një prononcim për Koha.

Bajrami shprehet i bindur se nuk është grupi parlamentar i PDK-së me deputetët e tij, që mund ta bllokojnë zgjedhjen e akademik Mustafës për Kryetar të Kuvendit, por këtë e pamundësojnë normat kushtetuese, përjashto rastin nëse ai do të propozohet nga grupi parlamentar i PDK-së.

“PDK është e hapur gjithmonë për të biseduar për një zgjidhje të tillë dhe kuptohet për të zgjidhur edhe zgjedhjen e qeverisë së re”, ka thënë Bajrami. “Pra gjithçka është e negociueshme, përveç, normave kushtetuese dhe vendimeve të gjykatave për të cilat jemi betuar si përfaqësues të popullit që t’i zbatojmë dhe t’i mbrojmë”, ka shtuar më tej Bajrami, teksa ka mohuar lajmin se ka hequr dorë nga kandidatura për të drejtuar institucionin më të lartë të legjislativit në vend.

Bajrami ka thënë se përkundër që PDK-aj nuk arriti të funksionalizojë Kuvendin, megjithatë, zhvillimet në seancë ishin në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe aktgjykimin e Gjykatës.

“Pra deputetët, të gjithë, qëndruan në seancë, shprehën vullnetin e tyre të lirë në formë shumë demokratike, seanca u mbyll dhe nuk kishte asnjë përpjekje që të vazhdohet seanca pas mbylljes zyrtare apo të kontestohet kryesuesja. Pra më demokratike se kaq, nuk ka ku shkon”, ka thënë Bajrami.

Sipas Kushtetutës së Kosovës dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, thotë akademik Bajrami, është mjaft e qartë që është e drejtë dhe obligim i Partisë Demokratike të Kosovës si grupi më i madh parlamentar të propozojë kandidatin për Kryetar Kuvendi.

“Mendoj që dje në vazhdimin e seancës konstituive, PDK e përmbushi këtë obligim kushtetues. Kuvendi i Kosovës është institucion që i takon 120 deputetëve të zgjedhur. Rrjedhimisht, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit nuk duhet të kuptohet si shqetësim vetëm i deputetëve të PDK-së, por i të gjithë deputetëve të Kuvendit sepse moszgjedhja e kryetarit të Kuvendit pamundëson punën e të gjithë deputetëve”, ka thënë Bajrami për Koha.net.

Në lidhje me lajmin që ka qarkulluar gjatë ditës së sotme, se akademik Bajrami ka kërkuar që të tërhiqet nga kandidatura për kreun e Kuvendit, për Koha.net ai e ka mohuar një gjë të tillë.

“Kandidatura ime për Kryetar të Kuvendit është kërkuar nga Partia Demokratike e Kosovës, është votuar në Kryesinë e saj dhe nga kolegët e Grupit Parlamentar të PDK-së. Për mua si nënkryetar i partisë kjo kërkesë e tyre ka qenë moralisht obliguese. Duke e menduar që kandidatura ime do të ishte e përshtatshme për gjithë kolegët në Kuvendin e Kosovës, kam pranuar që të ofrohem si zgjidhje, me qëllim që të tejkalohet gjendja e tanishme dhe të funksionalizojmë Kuvendin”, ka thënë Bajrami.

Bajrami ka thënë se mbetet përcaktim i Partisë Demokratike të Kosovës, deputetëve të grupit parlamentar të PDK-së që ai të vazhdojë të jetë kandidati i tyre për Kryetar.
“Ky vullnet i tyre, për mua si deputet nënkupton edhe obligimin që të mbetem kandidat për kryetar të parlamentit. Mendoj që vota e djeshme ishte votë e përcaktimeve dhe ndarjeve politike, më shumë se sa e vërejtjeve apo rezervave që mund të kenë pasur deputetët rreth kandidaturës time. Unë këtë e kuptoj plotësisht dhe e respektoj. Mirëpo unë uroj dhe shpresoj që të gjejmë zgjidhje politike në përputhje me normat kushtetuese që mundësojnë funksionalizimin sa më të shpejtë të Kuvendit dhe Qeverisë dhe përballë këtij qëllimi madhor që të zgjedhim institucionet e vendit, kandidaturat dhe emrat e përveç janë krejtësisht të parëndësishëm”, ka thënë Bajrami.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat