Zejnullahu: Protestuesit, të dirigjuar mbi bazën e interesave personale dhe klanore

Lajme

Zejnullahu: Protestuesit, të dirigjuar mbi bazën e interesave personale dhe klanore

Më: 19 shtator 2014 Në ora: 17:25

Pas protestës së sotme të një grupi studentësh të cilët hynë më dhunë në sallën ku po mbahej mbledhja e Senatit të Universitetit të Prishtinës, ka reaguar rektori Ramadan Zejnullahu.
Në reagimin e tij thuhet se sot ishte caktuar mbledhja e Senatit në të cilën duhej të shpallej konkursi plotësues për studentë të rinj, të aprovohej raporti i komisionit për regjistrime në Fakultetin e Mjekësisë dhe të diskutohej rreth emërimit të prorektorëve të Universitetit.
“Kjo mbledhje u ndërpre në minutat e para të saj nga studentët senatorë dhe një grup tjetër i studentëve paraprakisht të organizuar. Ata nuk respektojnë mendimin e Këshilli Drejtues se zgjedhja e rektorit është bërë në mënyre të ligjshme, ata nuk duan ta presin përgjigjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit ku kanë iniciuar lëndën për konfliktin e interesit, ata nuk duan ta presin vendimin e Gjykatës ku kanë iniciuar lëndën tjetër rreth kuorumit”, thuhet në reagimin e Zejnullahut.
Sipas tij, në dukje, ata janë për respektimin e ligjshmërisë dhe për standarde akademike, por, në të vërtete, ata janë kundër programit reformues që kam prezantuar.

Lexojeni pjesën tjetër të reagimit të rektorit Ramadan Zejnullahu:

Ata nuk duan të luftohet korrupsioni në Universitet, sepse një pjesë e mirë e rrethit të tyre janë të përfshirë në të, ata nuk duan të ndalen regjistrimet e paligjshme, sepse janë mësuar që çdo afat të regjistrojnë nga 2-3 vetë secili, ata nuk duan të respektohen standardet akademike, sepse me ato standarde nuk mund të bëhen asistentë për shërbime që ju kryejnë klaneve, siç ka ndodhur deri tani; ata nuk duan rend e disiplinë në mësim, sepse, pastaj, nuk mund të ndikojnë në notat e profesorëve; ata nuk duan disipline financiare, sepse pastaj nuk mund të kërkojnë para sa të duan dhe t’i shpenzojnë pa dhënë llogari.
Këta janë, pikërisht ata studentë që arsyetonin profesorët që janë avancuar me punime të tipit “përdorimi i euros e afron Kosovën një hap më afër Bashkimit Evropian”, ndërsa tani flasin për punime nga fusha e matematikës pa kuptuar asnjë shkronjë prej tyre dhe pa dashur t’i lexojnë mendimet e ekspertëve eminentë ndërkombëtarë për to. Me përgjegjësi e them se këta njerëz të rinj janë të dirigjuar pikërisht nga ato forca që e katandisën Universitetin në gjendjen ku është sot. Nuk janë të mashtruar, por janë të dirigjuar mbi bazën e interesave personale dhe klanore.
Andaj, unë pyes të gjithë mësimdhënësit dhe studentët e Universitetit të Prishtinës, të gjithë qytetarët e Kosovës, institucionet e Kosovës, a duhet t’ua dorëzojmë Universitetin këtyre forcave? A duhet t’ua dorëzojmë Universitetin atyre që Universitet e konsiderojnë institucionin ku shiten e blihen nota, ku bëhen regjistrime të paligjshme, institucionin ku, në vend se të krijohet inteligjenca, krijohen mediokërit, institucionin ku ata i realizojnë qëllimet e veta meskine dhe i kryejnë shërbime grupacioneve për të cilat punojnë?
Unë them se po. Ose duhet t’ua dorëzojmë ose duhet të dëshmojmë se jemi për një reformim rrënjësor dhe të mirëfilltë të Universitetit. Prandaj , ftoj të gjithë mësimdhënësit dhe studentët që, në mënyrë të qartë dhe pa ekuivokë të distancohen nga këto grupe që po vazhdojnë ta dëmtojnë Universitetin, ashtu si e kanë dëmtuar deri tani, dhe të mblidhen rreth programit për ndryshimin e gjendjes në Universitet që kam prezantuar. Ndërkaq, institucionet shtetërore i ftoj të krijojnë kushte normale për funksionimin e organeve të Universitetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat