Ismet Beqiri i përgjigjet Xhavit Halitit: S’ka kompromis me PDK-në

Lajme

Ismet Beqiri i përgjigjet Xhavit Halitit: S’ka kompromis me PDK-në

Më: 19 shtator 2014 Në ora: 13:40

Sekretari i Përgjithshëm i LDK’së, Ismet Beqiri, thotë se Blloku VLAN nuk do të bëjë kurrfarë kompromisi me Partinë Demokratike të Kosovës, pas dështimit të zgjedhjes së Arsim Bajramit për Kryetar të Kuvendit.
Xhavit Haliti ka pohuar se PDK është e gatshme të bëjë kompromise me partitë tjera politike, në mënyrë që t’i hapë rrugën ndërtimit të institucioneve të reja. Por, Beqiri, në një prononcim për Politiko.net, thotë se nuk kanë çfarë të bisedojnë më me PDK’në.
“Ne nuk e kemi as gatishmërinë, as vullnetin, për kompromis. Nuk kemi çfarë të bisedojmë me PDK’në për këtë çështje. E vetmja gjë është që ne të flasim përmes votës në Kuvendin e Kosovës”.
“E vetmja gjë që mund të bëjnë ata, është të tërhiqen nga ky bllokim që po ia bëjnë shtetit. Këtë bllokadë po e bëjnë me 36 deputetë, duke u thirrur në një vendim të Gjykatës, që edhe ai është duke u interpretuar nga ta ashtu siç po u konvenon atyre”.
Blloku pret që t’i vijë radha dhe Kuvendi i Kosovës ta zgjedhë Isa Mustafën Kryeparlamentar, e më vonë ta formojë edhe Qeverinë, duke u mbështetur në faktin e numrave.
“Për këtë nuk ka asnjë dilemë. Vendosmëria jonë do të përballet karshi numrave të tyre që i kanë, aktualisht 36 deputetët”, ka deklaruar Beqiri për Politiko.net.
Ai është shprehur i bindur se projekti LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje në fund do të realizohet.
“Seanca e djeshme edhe një herë dëshmoi qartë fuqinë e shumicës paralmentare në Kuvend, në këtë rast të LDK’së, Aleancës, Nismës dhe Vetëvendosjes”.
“Edhe një herë, për ata që kanë pasur iluzione, u dëshmua se duhet të heqin iluzionet dhe mos të shohin në pikë të ditës se i kanë numrat, se do t’i blejnë deputetët, është shumë e qartë se këtu nuk ka asgjë. U vërtetua sërish që ne si shumicë parlamentare e kemi shumicën, vullnetin dhe qëndrueshmërinë. Projektin tonë do ta çojmë deri në fund”.
Ismet Beqiri nuk ka dashur të flasë për hapat e mëtejmë të Bllokut, por ka thënë se presin që Kryesuesja Flora Brovina ta thërrasë seancën gjatë javës së ardhshme.
“Sot nuk mund të them se cilët janë hapat e ardhshëm, por ajo që mund të rikonfirmoj është se jemi të bindur që me të drejtë do të realizojmë atë që kemi thënë vazhdimisht”.
“Ne presim që seanca të vazhdojë javën e ardhshme. Këtë obligim e ka Kryesuesja, që ta thërrasë seancën. Për hapat tjerë, me kohë do të informohet opinioni”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat