Për çfarë “kompromisi” po flet PDK?

Lajme

Për çfarë “kompromisi” po flet PDK?

Më: 19 shtator 2014 Në ora: 11:09

Papritmas është zbutur fjalori i PDK-së. Profesori dhe “spin doktori” i kësaj partie, Hajredin Kuçi në konferencën e djeshme për shtyp fliste për “kompromis”. Eminenca gri e këtij subjekti politik që në 14 vite nuk është shfaqur në media sa muajin e fundit, Xhavit Haliti- i njohur edhe si “Zeka”, flet po për “kompromis” dhe Thaçi… si Thaçi, nuk flet por vepron: hap shumë “fronte” (arrestime hoxhallarësh, inskenime gjykatash etj.etj) dhe përfiton në kohë. PDK, pas nokautit të djeshëm në Kuvendin e Kosovës e ka tashmë të pamundur ta luajë lojën e “sekserëve” mediatikë dhe shefave që thonë se “i kemi numrat”.
Po flasin për “kompromis”. Po çfarë dmth. kompromis? Ironikisht, ky subjekt politik don të thotë se e ka vendosur të bëhet “zemërgjerë” dhe të pranojë të bashkëqeverisë- mundësisht me LDK. Por bën edhe me tjerat. Kryesorja: PDK të mbetet në lojë. Por këtu lind pyetja dhe del problemi që nuk po i bën punë as vendimi (absurd) i Gjykatës Kushtetuese dhe as kërcënimet e sojit: o me ne, o në zgjedhje. Këto të fundit nuk do mbahen sepse këtë nuk e lejon Kushtetuta e as vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Dhe para së gjithash nuk e lejojnë ndërkombëtarët. Sepse këta të fundit, sidomos këta e dijnë: në demokraci parlamentare institucionet i bën ai që e ka shumicën në Parlament. Kompromisi i PDK-së do të ishte pra që kjo parti duhet të shkojë në opozitë. Sa më shpejt që e kuptojnë dhe para së gjithash pranojnë, aq më mirë për demokracinë e brishtë të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat