Krasniqit dhe të tjerëve u caktohet masa një muaj paraburgim, dyshohen për terrorizëm

Lajme

Krasniqit dhe të tjerëve u caktohet masa një muaj paraburgim, dyshohen për terrorizëm

Më: 19 shtator 2014 Në ora: 10:36

(E plotësuar) - ​Imami i Xhamisë së madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, dhe 13 tjerë të dyshuar do të qëndrojnë në parabugrim për një muaj. Kështu ka vendosur Gjykata Themelore në Prishtinë.

Gjykata Themelore në Prishtinë u ka shqiptuar 13 të dyshuarve për kryerjen e veprave terroriste, në mesin e të cilëve është edhe imamit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë Shefqet Krasniqit dhe Kryetari i LISBA’s, Fuad Ramiqi, masën e paraburgimit prej një muaji.

Imamët u arrestuan nga Policia e Kosovës në një aksion të gjerë të ndërmarrë këtë të mërkurës në disa qytete të vendit.

11 imamët e arrestuar bashkë me të arrestuarit e tjerë dyshohen për pjesëmarrje në grupe terroriste, nxitje të urrejtjes, rekrutim për terrorizëm, shtytje për kryerjen e veprave terroriste dhe thirrje për rezistencë.

Vendimi për imamët, sot në orën 15
Vendimi për 12 imamët e arrestuar do të dalë sot rreth orës 15. Lajmin e ka konfirmuar Kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi.
Sipas tij seanca ka përfunduar dje dhe nuk do të ketë seancë tjetër.

“Seancë tjetër përveç asaj të djeshmes nuk do të ketë. Vendimi do të dalë sot rreth orës 15”, ka thënë për Express, Ibrahimi.

Pasdite vendoset për Shefqet Krasniqin

Vendimi për Imamin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi pritet të merret sot gjatë ditës nëse do t’i shqiptohet masa e paraburgimit apo ndonjë masë tjetër.
Avokati i Krasniqit, Bajram Tmava ka konfirmuar se gjatë pasdites pritet të vendoset për fatin e imamit.
Ai dyshohet se ka shpëlarë qindra-mijëra euro. Ai, sipas fletarrestimit, thuhet të ketë pranuar fonde nga organizata të ndryshme, në mesin e tyre edhe atë Al Haramain, organizatë e lidhur me Al-Qaedan.
Poashtu një pjesë e madhe e fondeve që ka pranuar Krasniqi kanë përfunduar në llogarinë e NTP “Portat”, biznes i regjistruar në emër të imamit Krasniqi.
Ndryshe, Policia e Kosovës të mërkurën ka arrestuar 15 persona, 12 prej të cilëve imamë, nën dyshimin për vepër penale kundër rendit kushtetues.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat