Jemi të gatshëm për kompromise

Lajme

Jemi të gatshëm për kompromise

Më: 19 shtator 2014 Në ora: 08:02

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, ka thënë se ka qenë i vetëdijshëm se kjo parti të enjten nuk i ka pasur numrat për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Në intervistën për “Epokën e re”, Haliti ka thënë se gjatë këtyre ditëve do të angazhohen maksimalisht për gjetjen e numrave për formimin e institucioneve të reja. “Publikisht kam deklaruar se nuk i kemi numrat. Duhet të ‘luftojmë’ që t’i kemi numrat. Me rëndësi është se e drejta i takon PDK-së për ta propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit. Tani se a do të ketë kompromis me partitë e tjera dhe cila do të jetë zgjidhja nuk mund të deklarohem sot”, është shprehur Haliti.

Që Republika e Kosovës t’i ketë institucionet e reja, Haliti ka thënë se PDK-ja është e gatshme edhe për kompromise. “PDK-ja është deklaruar se është e gatshme të bashkëqeverisë me të gjithë ata që mund të jenë në koalicion me ne. PDK-ja herë pas here ka shprehur mendimet për njërën ose tjetrën parti politike. Ky është qëndrimi i partisë. Ne do ta mbështesim presidenten dhe jemi të gatshëm të bashkëqeverisim. Kuptohet se, nëse jemi të gatshëm të bashkëqeverisim, është gjë normale të jemi të gatshëm edhe për kompromise”, ka deklaruar Haliti, duke shtuar se çdoherë kur krijohen koalicionet ka kompromise. “Deri në çfarë shkalle mund të shkojnë këto kompromise, ne mund të diskutojmë në momentin që mund të fillojnë bisedimet. Tani është herët të themi se mund ta lëshojmë këtë apo atë pozicion ose mund të japim këtë apo atë pozitë, por nuk ka bashkëqeverisje dhe koalicion pa bërë kompromis”, ka thënë Haliti.

I pyetur nëse PDK-ja e hedh si mundësi negocimin e postit të kryeparlamentarit, Haliti nuk ka dhënë një përgjigje të prerë rreth kësaj çështje. “Në qoftë se ne do të hynim në negociata do të hynim me pretendimet tona dhe nuk mund të them se a do të mund ta japim kryetarin e Kuvendit apo do t’i japim një ministri më shumë dikujt. Nëse hyjmë në koalicion me dikë, natyrisht duhet t’i kemi parasysh edhe interesat e partnerëve. Të gjitha ata që do të jenë në koalicion duhet të jenë të kënaqur me pjesën e pushtetit politik dhe ekzekutiv që mund t’u takojë sipas marrëveshjes”, ka deklaruar Haliti.

Deputeti i PDK-së ka deklaruar se kjo parti nuk e përjashton as formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse. “Ne nuk ia kemi mbyllur derën qeverisjes gjithëpërfshirëse, ndërsa të tjerët le të mendojnë për veten”, ka deklaruar ai.


Angazhimi i Jahjagës mund t’i lëvizë proceset

Pas dështimit të PDK-së për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit, anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Xhavit Haliti, e ka vlerësuar pozitivisht iniciativën e presidentes Atifete Jahjaga, e cila ka takuar të enjten liderët e partive parlamentare për çështjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. “Besoj se liderët e partive politike duhet ta gjejnë mundësinë për ta zgjidhur këtë nyje institucionale. Është në dorën e tyre dhe të deputetëve ta zgjidhin këtë nyje. Megjithatë, mendoj se risia e së enjtes më jep shpresë se mund të lëvizë pozitivisht diçka, pra angazhimi i presidentes së Kosovës, e cila i ka thirrur në takim të gjithë përfaqësuesit e partive politike për të diskutuar për situatën e krijuar dhe për ta dhënë mesazhin e saj. Shpresoj se partitë politike do ta mbështesin nismën e presidentes. Personalisht e mbështes fuqishëm këtë nismë dhe uroj të dalim sa më shpejt nga ky ngërç në të cilin ka hyrë Kosova. Shpresoj se edhe të tjerët do ta kenë mendimin tim”, ka thënë Haliti.

Në këtë kontekst, Haliti ka thënë se nuk mund të jap ndonjë prognozë nëse liderët e koalicionit LDK-AAK-Nisma-VV mund ta ndërrojnë qëndrimin pas takimit me Jahjagën. “Partitë e koalicionit paszgjedhor i kanë qëndrimet, udhëheqësit dhe mendimet e veta. Në këtë drejtim nuk mund të jap prognoza sa i përket asaj se a do të bëjnë lëshime ata, por kuptohet nga zhvillimet që do të bëhen në këto 10 ditë sa presidentja e vendit është në vizitë në ShBA. Ju e dini se ajo do të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së”, ka thënë Haliti, duke shtuar se gjatë këtyre ditëve në Kosovë mund të ketë ngjarje interesante politike. “Ajo do të ketë takime zyrtare atje dhe me siguri edhe këto ditë do të kemi zhvillime interesante në Kosovë në mes të partive politike, grupeve parlamentare, të interesuarave për ta ndihmuar procesin dhe në mes të atyre që nuk janë të interesuar për ta ndihmuar procesin”, është shprehur Haliti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat