Zgjedhjet në Rumani rrisin shpresën për njohjen e Kosovës

Lajme

Zgjedhjet në Rumani rrisin shpresën për njohjen e Kosovës

Më: 18 shtator 2014 Në ora: 21:32

Nëse Victor Ponta fiton në zgjedhjet presidenciale në Rumani, Kosova do të presë e shohë nëse ai do të veprojë sipas fjalëve të tij që Rumania do të rimendojë pozicionin e vet për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Refuzimi për të njohur pavarësinë e Kosovës nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian është përmendur shpesh si një nga pengesat kryesore që e ngadalësojnë procesin e Integrimit Euro-Atlantik të Kosovës.

Më shumë se gjashtë vjet që nga shpallja e pavarësisë nga Serbia, Kosova vazhdon të mos jetë ende pjese e organizatave të rëndësishme ndërkombëtare, si NATO-ja, Kombet e Bashkuara, apo Bashkimi Evropian.

Pesë shtetet e BE-së të cilat refuzojnë të njohin Kosovën - Greqia, Qipro, Spanja, Sllovakia, dhe Rumania, deri më tani kanë mbajtur një qëndrim të përbashkët rreth kësaj çështjeje.

Shumica e kundërshtojnë njohjen e pavarësisë, sepse ata kanë probleme të ngjashme të tyre me ndarje - Rumania dhe Sllovakia me minoritetet e tyre hungareze dhe Spanja me katalonasit dhe baskët.

Por zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Rumani, të planifikuara të mbahen në nëntor të këtij viti, mund të sjellin lajm të mirë për “evropianët e rinj.”

Presidenti aktual i Rumanisë, Traian Basecu, i cili nuk ka qenë në favor të njohjes së shtetit të Kosovës, së shpejti do të përfundojë mandatin e tij të dytë dhe sipas ligjit rumun, ai nuk ka të drejtë të kandidojë për një mandat tjetër.

Në anën tjetër, Kryeministri aktual Victor Ponta, i cili ka thënë se e përkrah njohjen e Kosovës, është kandidati që ka më së shumti gjasa për të fituar në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Kur Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë që ftonte shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovës të bëjnë një gjë të tillë, kryeministri Ponta kishte thënë se Rumania do të duhet të ndjekë rrugën e shumicës e shteteve të familjes evropiane për Kosovën.

“Pozicioni i të tri institucioneve [në Rumani] duhet të koordinohet, por edhe pse unë jam për një proces të shpejtë të njohjes, presidenti është më i kujdesshëm se unë, deri sa edhe ministrat e punëve të jashtme kanë pikëpamjet e tyre”, ka thënë Ponta për mediet rumune.

Deklaratat e Pontas duhet shikuar me kujdes, sepse ishin bërë kryesisht për të kundërshtuar presidentin Basescu lidhur me këtë çështje. Ponta dhe presidenti Basescu kanë një histori të gjatë të mosmarrëveshjes mes tyre, e cila kulmoi në një referendum për akuza ndaj presidentit në korrik të vitit 2012.

Por një anketë e bërë së fundi tregon se Ponta do të fitojë 46 për qind të votave në raundin e parë të garës për president që do të mbahet më 2 nëntor dhe që është shumë më përpara se garuesi tjetër, Klaus Iohannis, kryetar i Partisë Nacional-Liberale që është në opozitë.

Iohannis sipas anketës thuhet se do të ketë përkrahjen e 24 për qind të votuesve.

Njohja e Kosovës nga Rumania do të kishte ndikim shumë më të madh sesa njohja nga ndonjë shtet i vogël në Afrikën e largët, sepse do të sinjalizonte një kolaps në pesëshen e shteteve të BE-së që ende nuk na kanë njohur.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës do të mirëpriste një lajm të tillë. Ministria ka provuar që të bindë shtetet e BE-së që të njohin pavarësinë e Kosovës dhe realitetin e ri të të krijuar pas shkurtit të vitit 2008.

“Ministri Hoxhaj ka pasur vazhdimisht takime me zyrtarë të lartë të shtetit rumun. Një takim i tillë është mbajtur në qershor të këtij viti”, tregon Bashmir Xhemaj, këshilltar i Ministrit të Punëve të Jashtme Evner Hoxhaj.

“Lobimi tek pesëshja e BE-së ka qenë prioritet i ministrit”, shtoi Xhemaj.

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare e mirëpresin fleksibilitetin e kryeministrit Ponta rreth çështjes së njohjes së pavarësisë, duke thënë se një njohje e tillë do të kishte ndikimin edhe në vendet e tjera të BE-së për të bërë të njëjtën gjë.

“Njohja nga ky shtet do të kishte efekte pozitive. Efekti kryesor është se do të ndikonte në vendet tjera të BE-së që ende nuk na kanë njohur”, thotë Gent GJikolli, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare nga organizata KIPRED.

“Nëse Rumania do të njohë Kosovën, atëherë Kosova duhet të bindë vetëm edhe tri shtete të tjera që të bëhet pjesë e ‘Partneritetit për Paqe’ të NATO-s,” shtoi ai, duke iu referuar Greqisë, Spanjës dhe Sllovakisë.

Programi i NATO-s “Partneritet dhe Paqe” është hapi i parë për anëtarësim në aleancën atlantike.

Zyrtarë të Ministrisë së Jashtme kanë thënë shpesh se numri i njohjeve duhet të rritet në mënyrë që Kosova të anëtarësohet në organizata të rëndësishme ndërkombëtare, si dhe “të ketë vendin e merituar në bashkësinë e kombeve të lira”, ashtu siç Kryeministri në largim Hashim Thaçi kishte thënë në një sesion të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në mars të vitit të kaluar. /GazetaJNK

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat