Bashkësia Islame e Kosovës thotë se imamët e arrestuar janë të pafajshëm

Lajme

Bashkësia Islame e Kosovës thotë se imamët e arrestuar janë të pafajshëm

Më: 18 shtator 2014 Në ora: 18:53

Kryesia e Bashkësisë Islame pas një mbledhje ka lëshuar një komunikatë për media ku thuhet se "Bashkësia Islame e Kosovës punën dhe aktivitetin e vetë e bazon në parimet hyjnore islame, andaj ne besojmë se edhe ligjërimet e imamëve në xhamitë tona janë zhvilluar në këtë frymë. Institucioni i Xhamisë te ne historikisht ka luajtur rol pozitiv në edukimin dhe fisnikërimin e popullatës sonë, po ashtu xhamitë kanë pasuar rol determinues edhe në zhvillimet e rëndësishme të popullit dhe vendit tonë"

DEKLARATË

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës me shqetësim ka marrë lajmin për shoqërimin dhe më pastaj edhe ndalimin e djeshëm të disa imamëve tanë.

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, beson në pafajësinë e tyre përderisa organet e drejtësisë nuk e dëshmojnë të kundërtën.

Bashkësia Islame e Kosovës punën dhe aktivitetin e vetë e bazon në parimet hyjnore islame, andaj ne besojmë se edhe ligjërimet e imamëve në xhamitë tona janë zhvilluar në këtë frymë. Institucioni i Xhamisë te ne historikisht ka luajtur rol pozitiv në edukimin dhe fisnikërimin e popullatës sonë, po ashtu xhamitë kanë pasuar rol determinues edhe në zhvillimet e rëndësishme të popullit dhe vendit tonë.

E ripërsërisim nuk prejudikojmë fajësinë, po në të njëjtët kohë jemi kundër fushatës që demonizon institucionin e imamit dhe xhamive pa fol drejtësia, andaj edhe njëherë apelojmë që të presim të japin verdiktin organeve të drejtësisë.

Ftojmë dhe apelojmë tek të gjithë qytetarët, e posaçërisht besimtarët tanë, që me qetësi e maturi të presin vendimin e organeve të drejtësisë, larg çdo politizimi e polarizimi, tendence e keqkuptimi.

Kontributi më i mirë për vendin, shtetin dhe fenë tonë, në këtë situatë të krijuar, është qetësia dhe besimi në institucionet e vendit.

Bashkësia Islame e Kosovës, mbetet e përkushtuar që të mbrojë dhe të prezantojë të drejtat dhe vlerat e besimtarëve islam në përputhje me mësimet Kuranore, traditën e Pejgamberit, dhe me rendin kushtetues të vendit tonë.

Bashkësia Islame e Kosovës, është e përkushtuar në kultivimin dhe interpretimin e mësimeve islame për paqe, respekt, tolerancë e mirëkuptim, larg urrejtjes, ekstremizmit dhe dhunës.

Populli ynë është shquar për urtësi, mirëkuptim, maturi e pjekuri, respekt dhe përkrahje për tjetrin, virtyte e vlera këto që duhet të reflektojnë dhe të na shoqërojnë edhe në këto momente.

Zoti e do paqen dhe njerëzit që e kultivojnë dhe angazhohen për të!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat