Naser Kelmendi- Kontraktimi i një vrasjeje

Lajme

Naser Kelmendi- Kontraktimi i një vrasjeje

Më: 18 shtator 2014 Në ora: 15:23

Ramiz “Celo” Delaliq ishte personalitet i njohur dhe i popullarizuar në Bosnjë e Hercegovinë, falë shërbimit të tij ushtarak gjatë luftës. Ai ishte i respektuar për mbrojtjen e Sarajevës me të gjitha mjetet e mundshme, edhe haptas edhe fshehurazi.
Ai ishte edhe mafioz dhe për këtë u vra.
Në vitin 2006, tensionet mes familjeve rivale kishin arritur pikën kulminante, e të njëjtat akuzonin Naser Kelmendin dhe vartësit e tij se kishin vrarë Delaliqin, por kjo përbënte problem për to.
Kush duhet ta kryejë punën?
Bazuar në aktakuzën 49 faqeshe të ngritur nga prokurorët e Prokurorisë Speciale të Republikës, gjetja e njeriut ideal për të vrarë nuk ishte edhe aq e lehtë.
Aktakuza akuzon Kelmendin dhe grupin kriminal të tij, përfshirë Fahrudin Radonqiqin, ish-mogulin medial i cili është duke konkurruar për postin e Kryetarit të Bosnjë e Hercegovinës, se kishin konspiruar vrasjen e Delaliqit, kryesisht për të mbrojtur operacionet e Kelmendit në trafikim të drogës por edhe për disa arsye tjera.
Më 27 qershor 2007, Delaliqi u gjuajt për vdekje në Sarajevë. Tash Kelmendi është duke u mbajtur në Kosovë në pritje të gjykimit për vrasje dhe trafikim të drogës, ndërsa Randoqiqi po mohon çfarëdo lidhje me këtë punë.
Në një intervistë të dhënë për Projektin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit/CIN, Radonqiqi thotë se pjesa më e madhe e dëshmive kundër tij rezultojnë nga një dëshmi e dhënë nga një palë interesi – një ish-punonjëse dhe e besuar e tij që është edhe gruaja e një personazhi mafioz.
Sipas aktakuzës dhe dëshmitarëve, për realizimin e kësaj vrasjeje u deshën muaj planifikimi dhe disa dështime.
Sejla Jugo Turkoviq, ish-gazetare televizive e cila ka punuar në mbretërinë mediale të Radonqiqit për një dekadë të tërë dhe dikur mori postin e asistentes personale të tij, dha një pjesë të madhe të informatave që gjejnë vend në aktakuzën kundër tij.
“Kur filluan planifikimin e vrasjes së Ramizit, ata kontaktuan disa njerëz para se të gjenin personin e duhur,” tha ajo për PRKOK/CIN gjatë intervistës së parë të dhënë (nga dy sosh).
“Në fillim, Kelmendi ia sugjeroi Radonqiqit disa emra shqiptarë,” tha ajo. “Emrat shqiptarë ishin të panjohur, nuk ishin përmendur më parë në konflikte apo aktivitete kriminale, dhe vinin nga malet e një fshati afër Pejës,” qytet ky në Kosovë nga i cili e ka prejardhjen Kelmendi.
Por, disa ditë më vonë Kelmendi hoqi dorë nga kjo ide, duke thënë se do të ishte shumë e vështirë të organizohet transportimi i tyre në Sarajevë, si dhe që të njëjtët të ndihmohen në kthimin prapa. Ideja e radhës ishte të angazhohet dikush nga Sarajeva Lindore, “një njeri me të cilin kishte marrëdhënie të mira por i cili ishte në marrëdhënie të mira edhe me Ramizin – prandaj ai refuzoi,” tha Turkoviq. “Atij iu ofruan 200,000 KM!” (US$ 134,000).
Edhe dy persona që potencialisht kanë mundur ta kryejnë këtë punë nuk pranuan para se Kelmendi t’i drejtohej një mafiozi tjetër, Zijad “Zika” Turkoviq, me të cilin Sejla Turkoviq u martua më vonë. As ai nuk ishte i interesuar.
“Kur Naseri pyeti Zijadin nëse ai mund t’ia gjejë dikë, Zijadi iu përgjigj “Ju shqiptarët të gjithë jeni të çmendur, përse nuk po e vret vete? Mos më përfshij në këto punë,” tha Turkoviq. “Ata u përpoqën disa herë që të gjejnë dikë, dhe në fund [mafiozi serb Lubisha “Çume” Buha] i lidhi ata me njerëz nga Serbia të cilët ai i njihte.”
Prokurorët thonë se disa figura nga krimi i organizuar kishin arsye për të dëshiruar vrasjen e Delaliqit: Kelmendi pasi që Delaliqi përbënte kërcënim për biznesin e tij të drogës; e Ekrem Lekiq pasi që besonte se Delaliqi ishte përgjegjës për vrasjen e një të afërmi të tij – Selver Lekiq, që ishte mik i afërt i Radonqiqit, dy muaj më herët.
Radonqiq tha për PRKOK/CIN se nuk kishte kuptim që të mendohet se ai fajësonte Delaliqin për vdekjen e Lekiqit, sepse njeriu që kishte vrarë Lekiqin, Mersudin Cosoviq, ishte dënuar për këtë vepër dhe ishte burgosur në Serbi; Ekrem Lekiq u pajtua gjatë një interviste se teoria e prokurorisë ishte absurde.
Skuarda e vrasjes
Delaliqi kishte bërë diçka për ta nevrikosur Buhën, mafiozin beogradas, edhe pse as aktakuza e as Turkoviq nuk treguan saktë se cili ka qenë halli i Buhës me Dalaliqin. Darko Elez, mafiozi tjetër serb, u tha prokurorëve se tre dorasit që në fund e kryen punën e tyre u rekrutuan nga Buha në bazë të kërkesës së Kelmendit.
Sipas aktakuzës, ekipi i përbërë prej Strahinja Rashetës, Millan Mitiqit dhe Nebojsha “Çetnik” Vukomanoviqit u grumbullua nën udhëheqjen e një mafiozi tjetër të quajtur Millan “Sandokan” Ostojiq, për të kryer këtë punë.
Mitiqi, i cili mohon përfshirjen e tij, u tha prokurorëve se Rasheta ishte “anëtar i një grupi të organizuar kriminal nga qyteti i Shabacit në Serbi,” i cili udhëhiqej nga Sandokani dhe kishte kryer shumë vrasje në Shabac dhe gjetiu.
Sipas Mitiqit, Sandokani kryesisht i organizonte operacionet, me ndihmë nga Vukomanoviqi, ndërsa Rasheta mbante rolin e ekzekutuesit.
Prindërit e Rashetës ua konfirmuan prokurorëve se djali i tyre ishte angazhuar për ta vrarë Delaliqin, por thanë se Sandokani më parë kishte marrë komisionin e vet nga një mafioz tjetër – Millovan “Krce” Jeremiq.
Ata thanë gjithashtu se Kelmendi kishte paguar €200,000 (US$263,000) për kryerjen e vrasjes.
Rasheta nuk mund të intervistohej pasi që u vra aksidentalisht me eksploziv në vitin 2008 duke e vendosur një bombë nën veturën e Mitiqit. Policia pohon se ata u prishën lidhur me ndarjen e tallit nga plaçkitja e 2.6 milionë USD nga Posta në Split më herët atë vit.
Turkoviq tha se Kelmendi ishte i kënaqur me punën e ekipit “sepse njëri prej tyre, Rasheta, veç e kishte kryer një punë për Naserin dhe për shkak se ai nuk do duhej të merrej me transportimin e tyre përtej kufirit. Ai tha se është më së miri që këtë punë ta kryejnë serbët, pasi që ata mund të organizohen vetë. E vetmja gjë që duhet bërë për ta është t’ua gjejmë një banesë, e pjesën tjetër e kryejnë ata vetë.”
Sipas Turkoviqit, ekipi vrastar serb u vendos në një banesë në lagjen Hrasno të Sarajevës, ku qëndruan një kohë duke përcjellë lëvizjet e Delaliqit. Ajo tha se u përpoq që t’ia tërhiqte vëmendjen drejt rrezikut të cilit po i nënshtrohej, por duhej të zgjidhte fjalët me kujdes.
“Unë u përpoqa që t’ia them tërthorazi, në mënyrë që ai të mos shkonte në polici e tu thoshte se unë ia kisha dhënë informatat në fjalë. Po të ndodhte një gjë e tillë unë në po të njëjtën natë do përfundoja me plumb në ballë,” tha ajo.
“Megjithatë, kur e pashë që nuk po më merrte seriozisht, i thash: “Më dëgjo çka po të flas, unë isha aty kur u morën vesh që të të vrasin. Ata do të të vrasin! Kanë paguar paratë për këtë punë!… mos u bëj i marrë, ji syçelë dhe kupto situatën!”
“Ai tha, ‘Ti po rri aq shumë me shqiptarët e me Fahron sa që të kanë shpëlarë trurin fare. Ata nuk guxojnë të më afrohen, si s’po e kupton këtë?! Ata nuk mund të arrijnë deri tek unë!’ Unë i thash: ‘Ata munden! Më beso se munden! E kështu edhe ndodhi.” Gazeta JNK

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat