Dështon zgjedhja e kryetarit të Kuvendit (VIDEO)

Lajme

Dështon zgjedhja e kryetarit të Kuvendit (VIDEO)

Më: 18 shtator 2014 Në ora: 08:57

(E plotësuar) Kuvendi i Kosovës ka dështuar sërish që të zgjedh kryetarin dhe nënkryetarët.

Gjatë vazhdimit të seancës konstituive të kryesuar nga deputetja më e vjetër, Flora Brovina, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar të drejtën e propozimit të kandidatit për kryetar.

Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi ka nominuar para deputetëve, Arsim Bajramin e PDK-së për postin e kryetarit të Kuvendit.

Mirëpo, votimi solli si rezultat vetëm 44 vota, të cilat nuk ishin të mjaftueshme. me këtë rast, deputetja Flora Brovina prezantoi rezultatin e votimit dhe ndërpreu seancën.

"Rezultati është ky: Për janë 44, kundër 61 dhe 11 abstenime. Kandidati nuk mori votat e mjaftueshme për t'u shpallur kryetar i Kuvendit. Andaj për shkak të votave të pamuajftueshme të kandidatit të PDK-së, e cila e ka të drejtën e propozimit të kryetarit të Kuvendit, jam e detyruar ta ndërpres këtë seancë. Deputetët do të njoftohen me shkrim për vazhdimin e seancës konstituive gjatë javës së ardhshme", ka thënë Brovina.

Ashtu siç ishte paralajmëruar nga PDK-ja dhe deputetja Brovina, pas dështimit të kandidatit të Partisë Demokratike nuk i është dhënë mundësia që koalicioni pas zgjedhor Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma dhe Vetëvendosje të propozojnë kandidatin e tyre.

Menjëherë pas ndërprerjes së seancës, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se pret që vazhdimi i seancës të ndodhë shumë shpejt.

Në të kundërtën, ajo ka paralajmëruar disa hapa të koalicionit pas zgjedhor, edhe pse nuk ka qartësuar se për çfarë hapash bëhet fjalë.

Kandidat për kryetar të Kuvendit nga koalicioni i gjerë është lideri i LDK-së Isa Mustafa.

Deputetja Vjosa Osmani ka thënë me këtë rast se pret që seanca të thirret nga fillimi i javës tjetër.

"Seanca u ndërpre në kundërshtim me rregulloren e punës sepse nuk u kërkua deklarim nga grupet parlamentare rreth kësaj ndërprerje. Megjithatë ne e respektuam dhe i bëjmë thirrje kryesueses që seanca e ardhshme të thirret në mënyrë urgjente, në mënyrë që të mos zvarritet tutje ndërtimi i institucioneve. Varësisht zhvillimeve ne i kemi bërë planet për disa skenarë të ndryshëm", ka thënë Osmani.

Për përcjelljen e vazhdimit të seancës konstituive të filluar që nga 17 korriku, kishte interesim të madh jo vetëm nga mediat por edhe nga kori diplomatik në Prishtinë.

Në pjesën e vëzhguesve të seancave të Kuvendit ishin ulur edhe ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson dhe personalitete tjera ndërkombëtare.

PDK dështon, Mustafa thotë se Blloku do të ndërmarrë diçka(VIDEO)

11.35

Isa Mustafa tha edhe se nëse nuk e thërret seancën Kryesuesja Brovina ne do të veprojmë. “PDK nuk e ka shumicën dhe kjo mund të zgjas edhe katër vjet”

Isa Mustafa: Sot ishim dëshmitarë se PDK po e mban peng Kuvendin. Koalicion LDK AAK Nisma- VV e kemi shumicën

Isa Mustafa the se deputetët as nuk shiten e as nuk blihen. Kryetari i LDK’së në konferencë deklaroi se askush nuk ka të drejtë ta mbaj peng Kuvendin.

11.16

Deputetët ende nuk janë kthyer në seancë dhe grupet parlamentare ende nuk janë paraqit në seancë. Grupet parlamentare janë mbyllur në zyret e tyre për të diskutuar. Liderët e VLAN-it, kanë thënë se PDK-ja po e mban peng Kuvendin.

Mustafa: Deputetët e bllokut tashmë e dëshmuan se nuk shiten.
Haradinaj: Tash duhet të bëhet një zgjidhje apsi dështoj PDK-ja dhe ne e kemi zgjidhjen.

10.54

Menjëherë pas ndërprerjes së seancës, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se pret që vazhdimi i seancës të ndodhë shumë shpejt.

Në të kundërtën, ajo ka paralajmëruar disa hapa të koalicionit pas zgjedhor, edhe pse nuk ka qartësuar se për çfarë hapash bëhet fjalë.

10.43

Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj- Bujupi ka thënë se PDK-ja e dëshmoj që po shkon duke u dobësuar.

"Ne sipas vendimit të Kushtetueses, ashtu sic e do rendi, edhe njëherë pritëm qw PDK-ja të dështoj, përtej spekulimeve të shumta kishte më pak vota, dhe sa më shumë kohë, koalicioni jonë po forcohet dhe PDK-ja po dobësohet. Dhe tani duhet të reflekojnë, konform interesave të vendit. Shumicën e kryeparlamentarit e ka koaliconi LAN me Vetëvendosjen dhe është e rrugës që të vazhdojmë me punë", thotë Kadaj-Bujupi.

10.38

Pasi që dështoj zgjedhja e kryekuvendarit të kandidatit të PDK-së, deputetët kanë liruar seancën dhe tani po presin kryesuesen e Kuvendit, Flora Borvinën të thërras deputetët për vazhdimin e seancës konstituive.

10.34

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj thotë se blloku e ka zgjidhjen.

"PDK-së ju dha mundësia, dhe me qetësi dhe unitet dhe nuk ka ndonjë shpjegim tjetër. Duhet me gjet zgjidhje, ne kemi zgjidhje dhe do të arrihet në seancën tjetër", thotë Zemaj.

10.28

Nga salla janë larguar të gjithë deputetët.

10.25

Menjëherë pas dështimit të zgjedhjes së Arsim Bajramit në postin e kryetarit të Kuvendit, kryesuesja Flora Brovina e ka ndërprerë seancën deri në momentin kur ajo do t'i ftojë deputetët të vazhdojnë të seancë të filluar që nga 17 korriku.

10.22

Kuçi propozon Arsim Bajramin për Kryetar të Parlamentit, dështon zgjedhja e tij.Gjatë votimit, në sallë kanë qenë të pranishëm 116 nga 120 deputetë sa ka Kuvendi i Kosovës. procedura e votimit për Arsim Bajramin ka rezultuar me 44 deputetë, kundër 61 dhe 11 abstenime.

Në bazë të këtij votimi, kandidati i PDK-së nuk mori vota të mjaftueshme për t'u zgjedhur kryetar i Kuvendit

10.18

Shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës kane ardhur ne seancën konstituive të Kuvendit. Limaj nuk ka ardhur ne seance pasi ai është duke u ballafaquar me akuza për krime lufte.

10.16

Nën kryesimin e deputetes më të vjetër, Flora Brovina dhe deputetes më të re, Teuta Rugova, ka filluar vazhdimi i seancës konstituive e Kuvendit të Kosovës me pikën e vetme, zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve.

Interesim për të përcjellë këtë seancë ka jo vetëm nga mediat por edhe nga kori diplomatik në Prishtinë.

Në pjesën e vëzhguesve të seancave të Kuvendit janë ulur edhe ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson dhe personalitete tjera ndërkombëtare.

10.13

Në sallën e Kuvendit kanë filluar të hyjnë edhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe atë të PDK-së. Aty janë edhe deputetët minoritarë.

09.54

Të parët që kanë hyrë në sallën e Kuvendit të Kosovës janë deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ata janë ulur në anën e majtë të sallës, derisa deputetët e PDK’së kanë zënë ulëset e mesme.

09.45

Në ambientet e Kuvendit të Kosovës sapo ka arritur edhe ambasadorja e SHBA-ve në Kosovë, Tracey Ann Jacobson. Deri tash është parë një delegacion i Ambasadës Amerikane, ambasadorja e Francës dhe ambasadori i Belgjikës.

09.28

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë filluar të paraqiten në seancën konstituive që do të nis në orën 10:00. Deri me tash në Kuvendin e Kosovës kane ardhur deputetja e VV’së, Albulena Haxhiu dhe Kryetari i KDTP, Mahir Yagcilar dhe deputetja e LDK Besa Gaxherri. Në seancë kanë arritur edhe zyrtar të Ambasadës së Amerikës.

08:07
Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit bëhet me të paktën 61 vota të deputetëve.

Me zgjedhjen e tij, përfundon procedura e konstituimit të Kuvendit dhe i hapet rruga formimit të qeverisë së re të Kosovës, e cila po ashtu duhet të siguroj të paktën 61 vota të deputetëve.

08:06
Analistët politik kanë tërhequr vërejtjen se Gjykata Kushtetuese i ka njohur të drejtën e propozimit vetëm PDK-së. Por, blloku i koalicionit të gjerë pas zgjedhor pretendon se e ka të drejtën e nominimit, pasi që e ka shumicën parlamentare.

Bazuar në këto paqartësi ligjore e kushtetuese, opinionistët nuk e kanë përjashtuar as mundësinë që seanca e sotme e 18 shtatorit të jetë një reprizë e asaj të 17 korrikut, ku PDK ka të drejtën e kandidimit, por mund të mos i ketë votat për miratim, kurse blloku pas zgjedhor i ka votat por mund të ketë telashe me procedurat kushtetuese.

08:05
Gjykatës Kushtetuese kishte vlerësuar se vendimi i 83 deputetëve për zgjedhjen e Isa Mustafës, kryetar i Kuvendit ishte jokushtetues, si për nga procedura e ndjekur, ashtu edhe për nga përmbajtja, pasi nuk ishte grupi më i madh parlamentar ai që propozoi Kryetarin e Kuvendit. Rrjedhimisht, e kishte shpallur postin e fituar nga Mustafa të pavlefshëm.

Kurse në aktgjykimin e plotë, Kushtetuesja fillimisht e kishte definuar se të drejtën për propozimin e kryetarit të Kuvendit e ka Grupi më i madh parlamentar, që në këtë rast nënkuptonte PDK-në. Kurse më poshtë, kërkonte që deputetët të gjejnë zgjidhje kushtetuese.

Duke u nisur nga ky aktgjykim, në seancën e 18 shtatorit PDK ka konfirmuar se do të nominoj për kryetar të Kuvendit, deputetin e saj Arsim Bajrami. Kurse blloku LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje ka paralajëmruar se do të nominoj sërish për këtë post,liderin e LDK-së, Isa Mustafën.

08:01
Pas largimit të PDK-së nga salla, deputetet e LDK-së, AAK-së, Nisma, Vetëvendosjes dhe pakicave, ishin kthyer në sallë. Me prezencë të 83 deputetëve dhe me 65 vota për, seanca kishte zgjedhur më 17 korrik Isa Mustafën në postin e kryetarit të Kuvendit.

Mirëpo, me këtë vendim nuk ishte pajtuar PDK-ja e cila e kishte proceduar lëndën në Gjykatë Kushtetuese. Pas shqyrtimit të lëndës së PDK-së, me kërkesë të LDK-së, më 21 gusht ishte thirrur edhe një seancë dëgjimore në Gjykatën Kushtetuese për këtë çështje.

Një ditë më vonë, Kushtetuesja nxorri aktgjykimin, duke e shpallur jo kushtetuese zgjedhjen e Isa Mustafës në seancën e mbajtur nga 83 deputetë.

07:58
Shpërndaje:
Partia Demokratike Kosovës kishte propozuar deputetin e saj Agim Aliu për kryetar të Kuvendit dhe me atë rast, blloku i partive Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma si edhe Lëvizja Vetëvendosje lëshuan sallën, duke i pamundësuar Kuvendit vazhdimin e seancës.

Në mungesë kuorumi, kryesuesja e seancës, Flora Brovina kishte mbyllur mbledhjen deri në ftesat e ardhshme për deputetët.

07:53
Kuvendi i Kosovës pritet të vazhdojë sot seancën konstituive me pikën e vetme, zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të këtij institucioni.

Seanca konstituive e legjislaturës së dalë nga zgjedhjet e 8 qershorit, ka filluar më 17 korrik. Në atë seancë, deputetët miratuan verifikimin e mandatëve dhe dhanë betimin. Kurse në pikën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit deputetët u ndanë në dy blloqe./rel







Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat