Rasti ‘Kleçka’ rikthehet në gjykim

Lajme

Rasti ‘Kleçka’ rikthehet në gjykim

Më: 17 shtator 2014 Në ora: 18:51

Një vit më parë, Gjykata Themelore e Prishtinë shpalli të pafajshëm Fatmir Limajn dhe bashkëluftëtarët e tij, të akuzuar për krime lufte me rastin “Kleçka”, sot ai prapë u paraqit në sallën e Gjykatës së Apelit në Prishtinë në të cilën u vendos që të rikthehet në gjykim rasti “Kleçka”.
Procesi filloi me dëshmitarin e parë që ishte Afrim Zogaj, vëllau i dëshmitarit X në procesin e kaluar, Agim Zogaj. Procesi po udhëhiqet nga një kolegj gjyqësor i Gjykatë së Apelit, e të pranishëm ishin të akuzuarit bashkë me mbrojtjen e tyre, ku avokati i Fatmir Limajt është Karim Khan.

Gjatë seancës dëshmitari nuk japi shumë detaje në përgjigjet e tij. Për shumicën e rasteve thoshte se gjendej në Gjermani e për këtë arsye nuk din shumë për veprimet e të kaluarat e vëllait.

Ai tha se vëllai i tij për kohën sa ka qenë në Kosovë ka qenë i kërcënuar. E përsëriti atë që edhe babai i tij e ka thënë në deklaratën e tij, se Agim Zogaj një herë edhe është qëlluar.

E, për kohën që vëllai i tij, Agim Zogaj, gjendej në një spitali psikiatrik, dëshmitari tha se ai nuk ka pasur problem mendore dhe nuk ka qenë rast për të qëndruar aty. Madje për faktin se i vëllai mbante shkrime për çdo lëvizje që bënte e çdo telefonatë që merrte, ai tha se nuk i duket asgjë e çuditshme dhe se kur kishte pyetur atë se përse mban ditar, Agim Zogaj i kishte thënë se ‘dokumenti është diçka që asnjëherë nuk vdes’.

Megjithë pyetjet që iu shtruan nga kolegji gjyqësor, dëshmitari nuk dha dot ndonjë arsye të qartë se përse i kishte dorëzuar policisë dokumentacionin e vëllait të ndjerë.

Derisa pritej që Gjykata e Apelit të merrte vendimin për fillimin e këtij procesi, mbrojtja e Limajt tha se kërkesa e prokurorisë për kthimin e këtij rasti në gjykatë ishte pa asnjë meritë.

Avokati i Limajt, Karim Khan tha se këtu vetëm po rizbulohet diçka. Sipas tij, nëse Gjykata e Apelit thërret më shumë dëshmitarë sesa aq sa janë pajtuar, në këtë mënyrë ajo e kthen mbrapsht balancin midis Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Themelore.

“Ne kemi thënë se ky është një vendim i pastër dhe është ndoshta njeri nga vendimet më të mira që gjykatat e Kosovës, Gjykata Supreme, Gjykata e Apelit, Gjykata Themelore dhe gjykatat tjera kanë marrë... Ata kanë kaluar njëzëri një vendim 250 faqesh me kujdes. Ne themi që kërkesa e prokurorisë është e pavlerë dhe themi që duhet të tërhiqet, por edhe nëse Gjykata e Apelit thonë ndryshe nga ne, nuk kam pse të kem frike, ne faktet i paraqesim para gjykatësve, edhe prokuroria nuk dëshiron të kthehet mbrapa sepse 6 gjykatës janë njëzëri kundër tij dhe themi që kjo nuk është arsye që ta mbajnë atë larg gjykatësve të EULEX-it që i kanë shpallur që të gjithë të akuzuarit të pafajshëm, por tani është Gjykata e Apelit që vendos”, ka thënë ai.

Sipas tij, Gjykata Themelore është shumë me kompetente për këtë çështje, dhe ai propozoi që seanca e sotme të mos mbahej si e tillë, por t’i kthehej shkallës së parë.

Krahas kësaj, Gjykata e Apelit deklaroi se ka kompetence për këtë çështje dhe ka autoritet të pjesshëm që të dëgjojë deklaratat e dëshmitarëve.

E pasdite shpalli të hapur vazhdimin e këtij procesi gjyqësor dhe ftoi dëshmitarin e parë që të deklarohet.

Pas përfundimit të seancës foli avokati i Limajt Tomë Gashi, për të cilën dëshmia e Afrim Zogajt nuk i dëmton aspak të akuzuarit.

“Unë besoj se ai vetëm ka dhënë një përsëritje të deklaratës së tij, nuk ka dhënë asgjë të re për të cilën ne nuk e kemi ditur, shpresojmë që të kalojnë këto séance dhe që Gjykata e Apelit ta sjellë vendimin përfundimtar, në këtë rast do të sjellë aktgjykim me të cilin një herë e përgjithmonë do të mbyllet rasti ‘Kleçka’, meqenëse ky rast është i tejzgjatur pa kurrfarë arsye por prap se prap kolegji ka pasur të drejtë ligjore që ta hap këtë shqyrtim dhe ka paraparë një mori të dëshmisë që përsëri t’i vlerësoj”, ka thënë ai.

Gashi dëshmitarin e sotëm nuk e konsideron aspak të dëmshëm.

“Këtë dëshmi mbrojtja nuk e konsideron fare të dëmshme dhe pres që në përfundimin e të gjitha seancave që janë caktuar edhe për javën e ardhshme, të konfirmohet aktgjykimi i gjyqtari që është dhënë saktësisht para një viti”, ka thënë ai.

A do të mund të marrë pjesë Limaj në seancën e nesërme konstituive të Kuvendit të Kosovës akoma nuk dihet, pasi që në të njëjtën kohë ajo duhej të jetë i pranishëm në Gjykatën e Apelit.

“Është shumë e qartë se unë nuk mund të përgjigjem në emër të Fatmir Limajt se a do të jetë ai nesër në seancën konstituive të parlamentit të Republikës së Kosovës, por e di saktësisht që Fatmir Limaj do të duhet që nesër në ora 10:00 të jetë në këtë gjykatë sepse është obligim ligjor dhe ai do të respektojë”, ka thënë ai.

Seanca e dytë gjyqësore për rastin “Kleçka” do të mbahet nesër prej orës 10:00 ku të pranishëm do të jenë tre dëshmitarë.

Në verën e 2012-ës, Fatmir Limaj dhe nëntë prestarë tjerë të UÇK-së u akuzuan për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës që siç thuhet, supozohet të jenë kryer nga fillimi I vitit 1999 deri në mesin e qershorit të atij viti në një qendër të improvizuar paraburgimi nga UÇK-së, e që ndodhej në fshatin Kleçkë të Kosovës.

E më 17 shtator 2013, procesi u shpall i përmbyllur me pafajësinë e të akuzuarve. Ishte hera e dytë që Fatmir Limaj shpallet i pafajshëm nën akuzat për krime lufte. Më 30 nëntor të vitit 2005 Gjykata Ndërkombëtare për Krime lufte në Hagë shpalli të pafajshëm Fatmir Limajn i njohur me emrin e luftës si komandant Çeliku, i cili në shkurt të vitit 2003 qe akuzuar për përfshirje në krime kundër civilëve shqiptarë dhe serbë gjatë luftës së vitit 1998.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat