Nis procesi kundër Limajt- dëshmon vëllau i ish “Dëshmitarit x”

Lajme

Nis procesi kundër Limajt- dëshmon vëllau i ish “Dëshmitarit x”

Më: 17 shtator 2014 Në ora: 09:39

(E plotësuar) Vëllai i “Dëshmitarit X” është duke dëshmuar në rastin “Kleçka”.
Ai nuk kishte përcjellje e as përkujdesjeje nga EULEX-i.

Dëshmitari tha se Shaban Shalën e ka të afërm. Shala është njëri nga ata që bashkë me Limajn kanë dalë sot në Gjykatën e Apelit, ku po shqyrtohet “Kleçka”.

12:35

Ankesa të Avokatëve në Rastin “Kleçka”

Avokati Florim Vërtopi që mbron Naser Krasniqin duke iu drejtuar kolegjit të Apelit tha se ky kolegj nuk e meriton këtë emër.

“Ju kisha quajt kolegj sikur të mos e kishit hapur shqyrtimin gjyqësor, por po ju them trup gjykues, pasi e keni hapur shqyrtimin”, tha Vërtopi.

Ai nuk e kishte të qartë se si do të trajtohet rasti “Kleçka” nga Gjykata e Apelit.

“Nëse hapet shqyrtimi gjyqësor duhet të fillohet nga pika zero dhe të shqyrtohen 22 faqe prova”, tha Vërtopi, duke shtuar se procedura e provave në rastin “Kleçka” ka përfunduar më 2 shtator 2013.
Ankesa pati edhe avokati tjetër mbrojtës i Naser Krasniqit. Xhafer Maliqi u ankua me vendimin e gjyqtarit se vetëm njëri mbrojtës mund t’i bëjë pyetje dëshmitarit.

Ai tha se ky vendim është i kundërligjshëm dhe kërkoi nga gjykata ose ta revokojë, ose ta ndryshojë këtë vendim.

Gjyqtari tha se vendimi mbetet në fuqi, sepse nuk do të lejojë që të bëhen pyetje të njëjta nga avokatët.

Ai njoftoi se do të shqyrtohet ankesa e avokates Fehmije Gashi që po e konsideron të paligjshëm trupin gjykues.

Seanca do të vazhdojë pas pauzës së drekës.

11:05

EULEX-i në Kërkim të Fakteve për “Kleçkën”
Gjyqtari i EULEX-it, njëherësh kryetar i trupit gjykues thotë se Gjykata Themelore e Prishtinës mund të mos e ketë vërtetuar gjendjen faktike për rastin “Kleçka”.

Ai shpjegon se pyetjet duhet të fokusohen në tri grupe: kredibiliteti i Agim Zogajt dhe shënimeve të tij, roli i Policisë Ushtaarake të UÇK-së në Kleçkë, nëse ka pasur ndonjë rol dhe rtoli që kanë undur të kenë të pandehurit në Qendrën e Ndalimit në Kleçkë.

Agim Zogaj, ose “Dëshmitari X”, ishte dëshmitar i mbrojtur dhe kryesor në këtë proces, ndërsa bëri vetëvrasje në vitin 2011, teksa po strehohej në Gjermani.

10:47

Kundërshtohet Përbërja e Trupit Gjykues te “Kleçka”

Avokatja Fehmije Gashi që në rastin “Kleçka” mbron Arben Krasniqin po e kundërshton përbërjen aktuale të trupit gjykues.

“Sipas ligjit dhe kompetencave të gjyqtarëve të EULEX-it, trupi gjykues duhet të jetë me shumicë të gjyqtarëve vendorë”, tha avokatja.

Trupi gjykues në këtë rast përbëhet nga dy gjykatës të EULEX-it dhe një vendas, ndërsa duhet të jetë e kundërta.

10:33

Problem me Dëshmitarët te Rasti Limaj

Nga tre dëshmitarë që duhej të dëshmonin sot në rastin “Kleçka” në Gjykatën e Apelit, vetëm njëri pritet t’i thotë fjalët e tij.

Dëshmitari i ardhur nga Gjermania sapo ka hyrë në gjykatë. Ai pritet të dëshmojë në vazhdim.
Dëshmitarja Ganimete Zogaj, e paraparë të paraqitet sot në gjykatore është e sëmurë, ndërsa një dëshmitar tjetër që duhej t’u përgjigjej pyetjeve për rastin “Kleçka”, tashmë ka vdekur.

10:24

Avokati i Limajt Ankohet për Hapësirë

Ka nisur seanca e shqyrtimit të rastit “Kleçka” në Gjykatën e Apelit. Avokati i Fatmir Limajt po ankohet për mungesë hapësire.
“Salla është e papërshtatshme”, tha Karim Khan.

------------

Për pak çaste pritet të filloj seanca e parë gjyqësore për rastin “Kleçka” në Gjykatën e Apelit në Prishtinë.

Rast ky, ku në mesin e 8 të dyshuarve është edhe Fatmir Limaj.

Se seanca e parë mbahet sot e tjetra pritet të jetë nesër, e konfirmoi për KosovaPress vetë avokati i Limajt, Tomë Gashi.

“Jemi brenda në Gjykatë të Apelit dhe po presim që seanca të fillojë tani, nesër mendohet të jetë seanca e dytë, më tepër nuk kemi tani për tani”, ka thënë Gashi.

Fatmir Limaj po kthehet për të tretën herë në gjykatë me rastin “Kleçka”.

Gjykata e Apelit në Prishtinë duke vendosur sipas ankesës së prokurorëve të EULEX-it ka caktuar seancë dëgjimore për datat 17, 18, 23 dhe 25 shtator.

Kështu, Gjykata ka vendosur të dëgjojë përsëri disa dëshmitarë lidhur me rastin “Kleçka”.

Limaj sot sërish në gjykatë për rastin Kleçka

Në Gjykatën e Apelit sot do të hapet sërish gjykimi ndaj Fatmir Limajt dhe të tjerëve në rastin Kleçka. Ata akuzohen për krime lufte.
Mbi këtë bazë, ndaj Limajt dhe të tjerëve dy herë radhazi është nxjerrë aktvendim lirues me të cilët të akuzuarit janë shpallur të pafajshëm por vendimin e dytë nuk ka mundur ta vërtetoj Gjykata e Apelit, si gjykatë e shkallës së dytë.

Për shkak se i duhen edhe disa sqarime, Gjykata e Apelit ka vendosur që ta hapë këtë çështje dhe ka caktuar seanca për datat 17, 18, 23, 25 shtator si dhe më 26 shator nëse është e nevojshme.

Përveç Limajt, të akuzuar në këtë rast janë edhe Arben Krasniqi, Naser Krasniqi, Nexhmi Krasniqi, Behlul Limaj, Refki Mazreku, Naser Shala, Sabit Shala, Shaban Shala dhe Besim Shurdhaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat