Lushtaku shkruan letër

Lajme

Lushtaku shkruan letër

Më: 16 shtator 2014 Në ora: 18:03

Kryetari i i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ndaj të cilit po zhvillohet proces gjyqësor në të ashtuquajturin Rasti “Drenica 2”, përmes një letre u është drejtuar familjarëve të personave të zhdukur të fshatit Rezallë, trupat e të cilëve u kthyen pas identifikimit në varrezën në Rudnicë të Rashkës.
Lushtaku ka thënë se trupat e tyre janë sot akuza më e rëndë dhe dëshmia më e fortë që shqiptarët u vranë në oborret e shtëpive të tyre.
Më poshtë lexojeni letrën e plotë të Lushtakut drejtuar familjarëve të personave të zhdukur:
“Të nderuar familjare te personave të zhdukur nga Drenica
Në pamundësi të jem pranë jush për të ndarë se bashku dhimbjen qe keni tani, shfrytëzoj rastin t'ju drejtohem përmes kësaj shkrese.
Lajmin për kthimin e më të dashurve tuaj, të cilët u kthyen në atdhe pas 16 vitesh, e mora me ndjenja jashtëzakonisht të përziera.
Vërtetë është shumë e vështirë që të përshkruhet me fjalë ndjenja që na pushton në raste të tilla.
Çfarë të ju themi? Të urojmë? Të ngushëllojmë? Apo të akuzojmë?
Ndoshta te gjitha së bashku.
Ajo çka me bënë të ndjej një lehtësim është se juve tani po ju mundësohet të keni një vend kujtimi ku do të keni mundësi të ngushëlloheni sa do pak dhe t’i përkujtoni me te dashurit tuaj. Dashtë zoti që në një të ardhme të afërt të kthehen të gjithë ata që ranë në altarin e lirisë dhe të prehen në dheun e tyre që e lanë me gjak.
Trupat e tyre sot janë gisht i drejtuar kah Institucionet vendore dhe ndërkombëtare për të ushtruar më shumë presion në adresë të qeverise Serbe.
Trupat e tyre janë sot akuza më e rëndë dhe dëshmia më e fortë që shqiptarët u vranë në oborret e shtëpive të tyre.
Ata sot janë zëri që kumbueshëm kërkon drejtësi. Meqë për rrethana tash me të njohura e kam të pamundur të jem pran jush, dua nga këtu të ju garantoj se asnjëherë në jetë bashkëluftëtarët e mi dhe unë nuk do ta harrojmë përkrahjen që na e dha Rrezalla.
Nuk do ta harrojmë bukën që na e dha Rrezalla. Nuk do te harrojmë asnjëherë motivin që na e dhatë për të quar amanetin e shokëve ne vende për ta bere Kosovën te lire dhe te pavarur.
I përjetshëm qofte kujtimi për të gjithë ata që u flijuan për Lirinë e Kosovës!
Edhe pse jo fizikisht me mendje e zemër gjithmonë me ju! Sami Lushtaku”,ka shkruar Lushtaku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat