Jakup Krasniqi: Hashim Thaçi me opsionin e zgjedhjeve po synon t'i frikësojë deputetët

Lajme

Jakup Krasniqi: Hashim Thaçi me opsionin e zgjedhjeve po synon t'i frikësojë deputetët

Më: 16 shtator 2014 Në ora: 17:40

Ish-Kryeparlamentari Jakup Krasniqi thotë se opsioni i zgjedhjeve po përmendet më qëllim të frikësimit të deputetëve. Sipas tij, Hashim Thaçi, para se të mendoj për zgjedhje të reja do të duhej që në partinë e tij ta hapë debatin: pse nuk po gjenë aleatë për të bashkëqeverisur.
Më poshtë mund të lexoni postimin e Krasniqit në Facebook.

PSE “MENDOHET” PËR ZGJEDHJE?

Sot mediet si në kor shtruan pyetjen e zgjedhjeve të reja. Ne një situatë të tillë s’ka si mos të shtrohet pyetja: pse zgjedhjet pas zgjedhjeve. Për zgjedhje do të duhet të mendohet sikur partitë politike fituese të zgjedhjeve të mos mund të krijonin koalicionin qeverisës dhe pasi të kishin dështuar dy herë ta zgjidhnin Kabinetin Qeveritar. Një situatë e tillë nuk është krijuar tani për tani. Në kushtetutën tonë nuk është paraparë shkuarja në zgjedhje, nëse nuk zgjidhet Kryetari i Kuvendit. Madje kjo nuk parashihet në asnjë kushtetutë të Republikave Parlamentare dhe se të tilla janë shumica e vendeve evropiane. Andaj, pse tek ne kjo pyetje është duke u shtruar me urgjencë? Cili është qëllimi i saj? Mos është me porosi dhe për t’i frikësuar deputetët e subjekteve politike që nuk po pranojnë të bisedojnë me PDK-në? Sipas mendimit tim, ky duhet të jetë qëllimi i shtrimit të kësaj pyetje dy ditë para vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Pra deputetët nuk kanë pse frikësohen. Kryeministri në detyrë, para se të mendonte për zgjedhje të reja do të duhej që në partin e tij ta hapte debatin: pse nuk po gjënë aleatë për të bashkëqeverisur? Si ka qeverisur me pasurinë kombëtare gjatë shtatë viteve? Pastaj si i ka trajtuar bashkëpunëtorët dhe aleatet në qeverisje?

Deputetëve të zgjedhur me votën e lirë te qytetarëve, Kushtetuta jonë ua garanton të drejtën që mos t’i nënshtrohen asnjë diktati, e aq më pak ata duhet t’i nënshtrohen diktatit të pakicës parlamentare edhe pse ajo i ka uzurpuar institucionet e shtetit. Deputetët duhet ta zgjedhin Kryetarin e Kuvendit dhe të përqendrohen në politikat qeveritare dhe koalicioni i shumicës parlamentare duhet ta zgjedh kabinetin qeveritar, ky edhe ishte qëllimi i zgjedhjeve të 8 qershorit, përfundimi i qeverisjes së keqe. Vetëm nëse nuk arrijnë shumica parlamentare ta zgjedhin qeverinë në përpjekjen e dytë duhet të mendohet për të shkuar në zgjedhje të reja. Pa përfundimin e këtyre procedurave demokratike (shumëçka deri tani është brenda procedurave demokratike), nuk mund të themi se kemi krizë institucionale apo politike në Republikën tonë.

Unë mendoj së kriza e vërtetë politike do të ndodhte vetëm nëse do të shkonim në zgjedhje të reja, të cilat vështirë se do të ishin zgjedhje të rregullta dhe vetëm atëherë demi do të ishte vështirë i riparueshëm. Prandaj zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhja e duhur për Kosovën, madje nuk do të jenë kurrfarë zgjedhjesh. Për kundër të gjithave, deri me tani nuk është krijuar asnjë situatë që na detyron për të shkuar në zgjedhje të reja. Pastaj veç legjislaturës së parë (2002 = 2004), Kuvendi i Kosovës asnjëherë nuk ka pasur koalicion më të fuqishëm. Që do të thotë, nuk ka asnjë arsyeje që të shkohet në zgjedhje të reja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat