Aktakuzë e re ndaj Nazim Bllacës

Lajme

Aktakuzë e re ndaj Nazim Bllacës

Më: 16 shtator 2014 Në ora: 17:17

Nazim Bllaca i vetëshpallur agjent i ShIK-ut është dashur që sot të paraqitet para gjykatës në Shtërpcë për t’u përballur me një akuzë të re, atë të legalizimit të përmbajtjes së pavërtetë.
Përgjegjësi i gjykatës së Shtërpcës, gjykatësi Adem Shabani, ka konfirmuar për Kallxo.com se sot ka qenë e caktuar një seancë gjyqësore ku si i pandehur do të paraqitej Nazim Bllaca. Shabani nuk ka dhënë detaje se çfarë veprimesh ka ndërmarrë Bllaca në këtë rast mirëpo ka saktësuar se seanca e radhës do të mbahet më 20 tetor në gjykatën e Shtërpcës.
Organi i akuzës, sipas Shabanit, në këtë rast përfaqësohet nga Prokuroria Themelore e Ferizajt.
Shabani ka dhënë edhe arsyet e mosmbajtjes së seancës gjyqësore.
Sipas tij gjykata nuk ka qenë e njoftuar se Bllaca ndodhej në vuajtje të dënimit në Dubravë dhe për këtë arsye ftesat dhe thirrjet ishin dërguar në shtëpinë e tij deri në momentin kur gjykata e ka kuptuar se ai ndodhej në Dubravë.
“Kur e kemi kuptuar se ai ndodhej atje (në Dubravë) i jemi drejtuar Shërbimit Korrektues me kërkesë që ta transportojnë të dënuarin mirëpo ata na kanë thënë se është tepër vonë për të organizuar transportin andaj seanca është shtyrë për 20 tetor”, tha gjykatësi Shabani.
Nazim Bllaca i cili ka statusin e dëshmitarit të prokurorisë është vetëshpallur agjent i ShIK-ut dhe në vitin 2009 kishte dalë në publik për të rrëfyer për shumë krime të pasluftës. Si pasojë e dëshmive që Nazim Bllaca ka dhënë - deri më tani janë mbajtur tri gjykime penale. Në gjykimin e fundit ai vetë ka qenë i akuzuar dhe është dënuar me 4 vjet e gjysmë burgim për vrasjen e Ibush Kllokoqit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat