"Puna e banesës", Ismet Beqiri reagon ndaj Shpend Ahmetit

Lajme

"Puna e banesës", Ismet Beqiri reagon ndaj Shpend Ahmetit

Më: 15 shtator 2014 Në ora: 22:36

Ish-kryetari i Komunës së Prishtinës, Ismet Beqiri i është përgjigjur deklaratave të kryetarit aktual, Shpend Ahmeti, i cili ka vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e blerjes së banesës së Beqirit.
Beqiri i tha Indeksonline se blerja e banesës së tij ka qenë tërësisht e bazuar në procedura ligjore.

“Është tërësisht e ligjshme. Unë gjatë periudhës sime si kryetar komune, dy vjet kam jetuar në bashkësi familjare, meqë më ishte djegur shtëpia në luftë nga policia serbe. Duke i parë kushtet në të cilat kam jetuar, anëtarët e Kuvendit Komunal, të të gjitha subjekteve politike, kanë vendosur që unë ta marr atë banesë në shfrytëzim, kjo i bie para 9 vjetësh, dhe nuk është fshehur ndonjëherë”, ka rrëfyer

Beqiri, derisa ka shpjeguar se pas nxjerrjes së ligjit për shpronësim, ai e ka blerë dhe se çmimin nuk e ka përcaktuar ai. “Ligji ma ka dhënë të drejtën mua ta blej, unë nuk e caktoj çmimin. Unë bëj pjesë në grupin e njerëzve që nuk mund të blejë banesë me shifra si 100 mijë euro, por që çdo gjë ka shkuar sipas ligjit”, është shprehur Beqiri.

Ish kryetari i Prishtinës ka thënë se këto akuza në adresë të tij janë thjesht marketingje të njerëzve që sipas tij, duan të tregojnë që po punojnë diçka në kryeqytet.

“Unë nuk njihem si njeri që kam ndërtuar ndonjëherë pa leje, që kam thyer ligjin, e as familja ime, të tjerat janë marketingje të njerëzve të cilët po thonë se po bëjmë diçka. Çdo gjë është në mbështetje ligjore, pasi që personalisht jam një luftëtar i fuqishëm i zbatimit të ligjit dhe luftimit të së keqes”, është shprehur Beqiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat