Shqiptari Kreshnik B. akuzohet në Gjermani për terrorizëm

Lajme

Shqiptari Kreshnik B. akuzohet në Gjermani për terrorizëm

Më: 15 shtator 2014 Në ora: 20:53

Diku në Siri Kreshnik B. rrinte i ulur mbi një kulm dhe telefononte me motrën e tij në Gjermani. Shumë shpejt gjatë telefonatës bëhet e qartë se "lufta e shenjtë" nuk shkonte edhe aq mirë sa që kishte menduar ai. Kjo bisedë u bë publike në fillim të procesit në Frankfurt kundër 20-vjeçarit Kreshnik B., i cili akuzohet për pjesëmarrje në luftën e milicëve të IS. Ky është procesi i parë në Gjermani kundër një pjesëtari të organizatës terroriste "Shteti Islamik".

Gjysmë viti në Siri

Kreshnik B. ka qenë pjesë e njësive terroriste në Siri gjysmë viti. Prokuroria e shtetit e fajëson ate për pjesëmarrje në një organizatë terroriste jashtë vendit dhe për përgatitjen e veprave të rënda kundër shtetit në vendet e tjera. Ai është arrestuar me rastin e kthimit në Gjermani, në dhjetor të vitit 2013, në aeroportin e Frankfurtit. Kreshnik B. përpiqej që me një buzëqeshje të ngurtë t'u përgjigjet fotografimeve të shumta. Ai nuk kishte ndonjë kapelë në kokë, apo mjekër të gjatë tradicionale, por vetëm një mjekër të shkurtër dhe veshje normale. Ai është rritur në Bad Homburg, ndërsa familja e tij është me origjinë nga Kosova.
Kryesuesi i trupit gjykues, Thomas Sagebiel i tregon se cilat janë përparësitë e tij, nëse e pranon fajin dhe pranon të flasë para trupit gjykues. "Një dënim më i butë prej 3 vjet e tre muaj deri në 4 vjet e tre muaj, ndonëse akuzat nuk janë fare të lehta", shpjegon ai. Kështu kanë rënë dakord prokuroria dhe mbrojtësit e të akuzuarit. Por i akuzuari nuk do të përgjigjet në këtë ofertë deri ditën e premte. Nëse nuk e pranon fajjin, procesi do të zgjatë të paktën deri në nëntor, sepse deri tani janë caktuar shtatë seanca.

"I ri, budalla dhe naiv"

Në ditën e parë u bën publike telefonatat e tij me motrën, të cilat japin edhe përfytyrimet e para për psikën e xhihadistëve në Siri. "Mos fol pa lidhje për Kur'anin", e shante ajo, kur Kreshnik B. shpjegonte shkaqet pse ka shkuar në Siri për të luftuar për shkaqe fetare. Motra mendon se ate e kanë mashtruar shokët. "Lufta ka të bëjë me politikë dhe nuk është për djem të ri. Ti je i ri, budalla dhe naiv".
Duket se në kohën e telefonatës "luftëtari i Zotit" ishte i ngopur me luftë. Megjithë linjën e dobët telefonike, ishte e qartë se ai donte të kthehej në shtëpi por kishte frikë se nuk do ta lejojnë të tjerët.
Por akuzat e prokurorisë janë shumë serioze. Në verën e vitit 2013 Kreshnik B. me bashkëmendimtarët e tij kishte shkuar në Siri përmes Turqisë. Ai është armatosur atje dhe ka kryer stërvitjet për përdorimin e armëve. Ai e ka dhënë betimin për shërbim në një njësi të të huajve dhe ka kryer shërbime si punëtor shëndetësie dhe roje. Por të paktën tri herë ka marrë pjesë edhe në luftime disaditore. Qëllimi i "Shtetit Islamik" në Irak dhe "Sirinë e Madhe" është rrëzimi i regjimit të Assadit dhe vendosja e sundimit të Shariatit. Për këtë shtet përdoren mjete si: sulmet me bomba, atentatet vetëvrasëse, rrëmbimet dhe ekzekutimet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat