Dëshmitari A: Më rrahën në grup pa mëshirë, ende kam plagë nga rrahja në Likoc (Video)

Lajme

Dëshmitari A: Më rrahën në grup pa mëshirë, ende kam plagë nga rrahja në Likoc (Video)

Më: 15 shtator 2014 Në ora: 18:19

Artan Qerkini, avokati mbrojtës i Hysni Thaçit gjatë marrjes në pyetje të “Dëshmitarit A” u interesua për vendbanimin e dëshmitarit të mbrojtur, ndërsa kryetari i trupit gjykues Darius Silicki para se dëshmitari t’u përgjigjej pyetjeve të tilla kërkoi zbrazjen e sallës nga publiku.
Silicki vendimin për seancë të mbyllur e arsyetoi me faktin se në Kosovë banorët e fshatrave e njohin njëri-tjetrin.

Seanca do të jetë e mbyllur deri në fund të ditës së sotme, ndërsa vazhdimi i gjykimit është paraparë për nesër.

15:02 Dëshmitari Thotë Se Ende Ka Plagë nga Rrahja në Likovc

Në vazhdim të marrjes në pyetje nga prokurori Martin Hackets, “Dëshmitari A” tha se ende ka plagë të hapur në organet gjenitale dhe brinjë të thyera nga keqtrajtimet që pësoi në qendrën e ndalimit të Likovcit.

Dëshmitari tregoi se një natë tash të akuzuarit Sylejman Selimi, Jahir Demaku e Hysni Thaçi dhe ushtarë të tjerë të UÇK-së i kërkuan atij që të rrihej me “Dëshmitarin B”, gjithashtu të ndaluar në Likovc, duke ia ofruar një shkop për këtë qëllim.

Ai bëri me dije se kishte refuzuar një gjë të tillë, por ishte rrahur deri në alivanosje, ndërsa rrahja kishte vazhduar përsëri, pasi i ishte kthyer vetëdija.

Disa nga të akuzuarit në këtë proces gjyqësor ngarkohen edhe për detyrim të rrahjes mes vete të dëshmitarëve A dhe B, kur këta dëshmitarë ishin të burgosur.

“Dëshmitari A” më pas tregoi se ende ka plagë të hapur në organet gjenitale dhe brinjë të thyer nga keqtrajtimet që i janë bërë në Likovc.

Ai shpjegoi edhe se si është liruar.

“Në ofensivën e shtatorit 1998 kur forcat serbe filluan ta granatojnë fshatin Likovc nga fshati Polac i Skenderajt, pas nja një ore nga fillimi i granatimeve ka ardhur një ushtar që derën e ka hapur me shqelm dhe na ka thënë ikni kah të mundeni”, dha detaje dëshmitari.

Seanca po vazhdon me marrjen në pyetje të “Dëshmitarit A” nga avokati Artan Qerkini që mbron Hysni Thaçin.

Dëshmitari A: Më rrahën në grup pa mëshirë

Të hënën rinisi gjykimi për krime lufte në rastin e njohur si “Drenica II”, ku janë të akuzuar dhjetë persona mes tyre edhe Sylejman Selimi. Dëshminë po e vazhdon “Dëshmitari A”. Ai duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit tha se në qendrën e ndalimit në Likovc është rrahur pa mëshirë.

“Dëshmitari A” tha në seancë se është rrahur shpesh në grup gjatë qëndrimit në qendrën e ndalimit të Likovcit, kur iu përgjigj pyetjeve të prokurorit Martin Hackets për maltretimet që kishte pësuar sa mbahej i ndaluar në vitin 1998.

“Shumë herë më kanë rrahur në grup Sylejman Selimi , Jahir Demaku, Hysni Thaçi dhe Zeqir Demaku”, deklaroi dëshmitari.

Ai rrahësit e tij i përshkroi si të pamëshirshëm.

“Gjatë maltretimeve këta nuk kanë pasur mëshirë në mua, përveç rrahjeve, ofendimeve, fjalëve të tjera të ndyta, ma kanë sharë edhe nënën dhe më kanë rrahur deri në maksimum”, shtoi dëshmitari i mbrojtur.

Në aktakuzë shkruan se “Dëshmitari A” përveç që u detyrua të rrihej me “Dëshmitarin B”, në një moment u kap për organi gjenital me një mjet të hekurt, duke u tërhequr zvarrë nëpër dysheme.

Prokurori e pyeti dëshmitarin për arsyet e maltretimit.

“Më kanë quajtur bashkëpunëtor të Serbisë, shok të Ivan Bullatoviqit dhe se unë po punoj me inspektorin Arsiq Branko”, shpjegoi dëshmitari.

Bullatoviq ishte komandant i Stacionit të Policisë Serbe në Gllogovc, ndërsa u kap nga pjesëtarë të UÇK-së në trenin e relacionit Gllogovc-Pejë më 23 maj të vitit 1998, ndërsa ende figuron si i zhdukur.

Prokurori e pyeti dëshmitarin se si e dinte që Zeqir Demaku ishte komandant i Policisë Ushtarake të UÇK-së në fshatin e tij.

Dëshmitari tha se Zeqir Demaku kishte urdhëruar që ta rrihnin.

Seanca filloi me një orë vonesë, ndërsa për të nuk dha kurrfarë arsyetimi kryetari i trupit gjykues Darius Silicki.

Por Silicki u arsyetua për shtyrjen e seancave të tetë dhe nëntë shtatorit. Thas e ato nuk u mbajtën ngase ai kishte komplikime shëndetësore./kallxo.com

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat