Librat nga Serbia hyjnë në Kosovë, sipas pakos Ahtisaari

Lajme

Librat nga Serbia hyjnë në Kosovë, sipas pakos Ahtisaari

Më: 3 shtator 2014 Në ora: 08:51

Tekstet shkollore nga Serbia, të cilat si destinacion kishin Kosovën, e të cilat para disa ditëve janë ndalur në piken kufitare në Jarinje, tashmë janë lëshuar të hyjnë në Kosovë.

Këtë e ka konfirmuar për KosovaPress, përfaqësues të Doganave të Kosovës. E zyrtarë të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, theksojnë se librat tashmë po shpërndahen në shkollat përkatëse dhe se ato edhe pse nuk janë në përputhje me plan programin e institucioneve tona, një gjëtë tillë, ua lejon Pakoja e Ahtisarit dhe marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Librat e Gjeografisë, Kosovën e paraqesin si pjesë të Serbisë, kurse ato të historisë tregojnë për ‘pakicën shqiptare’, në Kosovë të cilët kanë okupuar trojet e Serbisë. Këto dhe librat e tjerë ende vazhdojnë të lejohen të hynë në Kosovë dhe nga to të mësojnë nxënësit e komunave serbe në Kosovë.

Zëdhënësi i Doganave, Adriatik Stavileci thotë se para disa ditëve ato libra nuk janë lejuar të hyjnë në Kosovë, pasi që u ka munguar dokumentacionin përkatës. Sipas tij, të hënën ata kanë sjellë dokumentacionin e duhur dhe se tashmë kanë përfunduar të gjitha procedurat, që mundësojnë hyrjen e atyre librave në Kosovë.

“Po i kemi ndal. Ato libra para dy ditëve, kur kanë ardhur, kanë ardhur pa ndonjë dokument. Por sidoqoftë duhet me kalu përmes një procedure të caktuar. Të hënën pasdite i kanë pru të gjitha dokumentet e nevojshme dhe librat lëshohen. Jo vetëm që janë nga Serbia, por edhe në Jarinje edhe në Bërnjak, zhvillohen të gjitha procedurat doganore, ashtu siç zhvillohen në të gjitha pikat tjera. Dhe secili mall që vjen duhet të kalojë përmes një procedure të caktuar doganore. Në momentin kur ata nuk i dorëzojnë dokumentet, ato nuk lëshohen. Në momentin që ato i kanë dorëzuar dokumentet dhe është vërtetuar se ku kanë me shku përmes Ministrisë sonë të Arsimit, ato lëshohen. Tashmë ka përfunduar kjo çështje, pasi që janë dorëzuar të gjitha dokumentet e nevojshme. Në momentin që kanë ardhur, kanë ardhur vetëm me një fletë dërgesë, e cila mund të përdorët për transport të brendshëm, por jo për transport kufitar. Neve na janë dashur dokumentet komplete. Kur i kanë pru, i kemi leshu”, ka theksuar Stavileci.

Ndërsa, Xhavit Dakaj, Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë thotë se librat tashmë kanë arritur në Kosovë dhe janë duke u shpërndarë nëpër shkollat përkatëse. Dakaj bënë të ditur se kërkesën për lejimin e këtyre librave që të hyjnë në Kosovë e ka bërë vet ai dhe se kjo çështje ka përfunduar tashmë.

Sipas tij, për çdo kontingjent që vjen si donacion, Dogana kërkon pëlqim të institucioneve të Republikës së Kosovës për fushën përkatëse. Në rastin konkret, kur bëhet fjalë për materiale që i dedikohen shkollave, pavarësisht të cilit nivel apo për cilat komunitete është fjala, ai tha sepranuesi i donacionit bënë kërkesë që në emër të Ministrisë të lejohet hyrja e një kontingjenti pa doganë, çoftë ai material didaktik apo shkollor.

“Në rastin konkret, të premten është ardhur një kontingjent i librave nga Republika e Serbisë, dedikuar nxënësve nga klasa e parë në të katërtën, të komunitetit serb për disa komuna. Dhe meqenëse ka qenë vikend e shtunë e diel, unë kam komunikuar me zyrtaren që merret me arsimin, në divizionin për arsimin për komunitete dhe jemi dakorduar se meqenëse kjo nuk mund të realizohet gjatë ditëve të vikendit, që të hënën ne do ta shqyrtojmë kërkesën dhe do të veprojmë sipas praktikave që kemi vepru. Natyrisht dje me fillimin e orarit të punës, është parë dokumentacioni dhe unë si përgjegjës i pjesës së shërbimit civil, si zyrtari më i lartë administrativ, në përputhshmëri me kompetencat e mija dhe sipas praktikave që kemi bërë deri më tani, kam bërë kërkesë për Doganën që t’i lirohen këto libra, për t’u shfrytëzuar nga nxënësit e komunitetit pakicë serb pa doganë dhe është realizuar projekti. Në momentin e shkuarjes së shkresës sime, kontingjenti ka kaluar doganën dhe është në shpërndarje e sipër, nëpër shkollat e dedikuara”, tha ai.

Ndërsa, se a do të duhej që këto libra të lejohen të hyjnë në Kosovë apo jo, ai thotë se kjo është çështje politike. Ai thekson se këtë e lejon Pako e Ahtisaarit dhe marrëveshjet e arritura në Bruksel, pavarësisht se këto libra janë apo jo në përputhje me planprogramin e institucioneve të Republikës së Kosovës.

“Ky është një problem që tejkalon ndoshta sferat e kompetencës së një zyrtari më të lartë të shërbimit civil. Është më tepër e karakterit politik. Por megjithatë Pakoja e Ahtisarit i ka rregulluar këto çështje që edhe pakicat e komuniteteve tjera mund t’i shfrytëzojnë librat që vijnë nga shtetet amë të tyre. Dhe konform kësaj dhe në kuadër të marrëveshjeve që janë arritur në Bruksel, këto lejohen në përdorim pa u lëshuar në atë se a janë në përputhje me plan programet e Republikës së Kosovës”, thotë Dakaj.

Zyrtarë të MASHT-it thonë se ky është një obligim ndërkombëtar që Kosova ka marrë nga Pako e Ahtisarit dhe se Kosova pranon libra të tillë, edhe nga Bosnja dhe Hercegovina dhe jo vetëm nga Serbia.

Ndryshe, Një komision i pavarur, i ngritur në Kosovë për rishikimin e programeve mësimore në shkollat serbe në vitin 2010, vë në dukje se tekstet e librave janë të mbushura me urrejtje e fakte të pavërteta për shqiptarët.

Nxënësit serbë, qytetarë të Kosovës mësojnë në shkollë se Kosova është pjesë e Serbisë, nuk njohin himnin e saj, por vetëm atë serb. Në librat e historisë, shkruhet se shqiptarët kanë kryer genocid ndaj serbëve, por nuk dinë asgjë për konfliktin e vitit 1999. Këngët e poezitë e shkollës janë të mbushura me gjuhën e urrejtjes. Këto fakte, tërësisht në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës sipas Komisionit të pavarur për rishikimin e kurrikulumit në shkollat serbe, mësohen që nga klasa e parë e deri në shkollën e mesme.

“Librat e historisë janë me plot tekste, të cilat serbët dhe shqiptarët i paraqesin në pozitën e xhelatit dhe të viktimës, që direkt inkurajojnë konflikt ndëretnik”, ka thënë Radivoje Mancic, kryetar i Komisionit të pavarur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat