Besnik Hasani: Hakmarrja Për Triumf Rizën, Jo Për Adelina Ismajlin

Lajme

Besnik Hasani: Hakmarrja Për Triumf Rizën, Jo Për Adelina Ismajlin

Më: 2 shtator 2014 Në ora: 16:35

Dëshmitari Besnik Hasani ka thënë gjatë seancës së sotme se nuk ka pasur ndonjë armiqësi me Enver Sekiraqën por sipas tij ka ndodhur e kundërta. “Enver Sekiraqa ka qenë i armiqësuar me ne, e jo ne me atë”, tha Hasani para trupit gjykues sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Ai tha se u përpoq të hakmerrej ndaj Sekiraqës për shkak të dyshimeve se ky i fundit mund të ketë dorë në vrasjen e pjesëtarit të njësitit special të policisë, Triumf Rizës në fund të gushtit të vitit 2007.

“Hakmarrja ndaj Sekiraqës ishte vetëm për shkak të kolegut të respektuar Triumf Riza, jo për shkak të Adelina Ismajlit”, tha Hasani duke iu referuar pop-këngëtares kosovare e cila ka qenë në lidhje me Triumf Rizën.

Nesër dëshminë e tij do ta japë Shpend Qerimi.

Avokatët Ankohen për Përkthim te Rasti “Sekiraqa”

11:56

Avokatët Haxhi Millaku dhe Hilmi Zhitia janë ankuar te trupi gjykues për shkak se nuk kanë qenë të kënaqur me cilësinë e përkthimit gjatë seancës së sotme për rastin e shpërthimit në kafeterinë “Sekiraqa”.

Ata kanë thënë se përkthyesi nuk është në gjendje të përkthejë si duhet deklaratat gjatë seancës. Trupi gjykues ka dhënë një pauzë 15 minutëshe.

Fillon Gjykimi Për Shpërthimin te “Sekiraqa”

10:24

Gjykimi ka vazhduar me ballafaqimin e dëshmitarit Besnik Hasani me mbrojtësit e të akuzuarve.

Avokati i Afet Dalloshit, Ramë Dreshaj, ka thënë se ai dhe klienti i tij nuk do t’i parashtrojnë pyetje dëshmitarit për shkak se, sipas tij, ai nuk është i besueshëm.

Kërkesa e avokatit Dreshaj është përkrahur edhe nga Afet Dalloshi.

Në këto momente Hasani është duke u përgjigjur në pyetjet e avokatëve tjerë.

09:34

Ka filluar në orën 9:30 në Gjykatën Themelore të Prishtinës gjykimi në lidhje me rastin e shpërthimit në kafenenë “Sekiraqa” në vitin 2007. Për këtë akt akuzohen shtatë policë dhe ish-policë.

Dëshminë e tij pritet ta vazhdojë ish polici i njësive speciale Besnik Hasani, i dënuar më parë për këtë rast me 25 vjet burgim.

Ai mendohet se do të tregojë se si ishte planifikuar shpërthimi te lokali “Sekiraqa” ku humbën jetën dy persona. Hasani dëshmoi edhe më 27 gusht kur e cilësoi kriminel Enver Sekiraqën dhe e akuzoi atë për vrasjen e policit Triumf Riza.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat