Valon Murati: Pushteti arbitrar i Shpend Ahmetit dhe Vetëvendosjes

Lajme

Valon Murati: Pushteti arbitrar i Shpend Ahmetit dhe Vetëvendosjes

Më: 2 shtator 2014 Në ora: 14:52

Ish kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës nga radhët e Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, përmes një postimi në Facebook, ka shprehur frustrimin e tij për vendimet ad hoc të Shpend Ahmetit. Kësaj radhe kryetari i cilësuar si më i guximshmi nga The Guardian, është treguar vërtetë i guximshëm duke luajtur me durimin e prindërve të fëmijëve të shkollës "Meto Bajraktari."
Ai ka marrë vendim pa asnjë lloj konsultimi me prindërit që nga dy klasa prej secilës gjeneratë të shkollës "Meto Bajraktari," t'i dërgojë në shkollën e re të quajtur "Model," ani pse gjeografikisht i takojnë shkollës "Meto Bajraktari."

"E pashembullt arroganca e pushtetit të ri komunal në Prishtinë. Ndonëse i ardhur në pushtet me idenë se do t’ia kthej komunën qytetarit, se për të gjitha vendimet do të konsultohen qytetarët, ky pushtet në mënyrë krejt arbitrare, pa kurrfarë konsultimi me prindërit ka vendosur që nga dy klasë prej çdo gjenerate të Shkollës “Meto Bajraktari” të shkojnë në shkollën e re të quajtur “Model”, pa marrë parasysh se një pjesë e madhe e fëmijëve gjeografikisht i takojnë shkollës “Meto Bajraktari”. Për më tepër kjo ndodhi pa kurrfarë konsultimi me ne prindërit, të cilët e morëm vesh, në një gjendje totale shoku vetëm dje kur i dërguam fëmijët në shkollë. Gjithashtu mësueset që u dërguan në atë shkollë ky vendim iu komunikua më 29 gusht.

Në anën tjetër, shkolla ndonëse shumë moderne, komuna veç sot pasi ka filluar mësimi i ka dërguar punëtorët për pastrimin e objektit. Bankat e përlyera, banjat jo të gatshme, materiale ndërtimore nëpër korridore.

Ndërsa kryesorja për ne që nuk i takojmë gjeografikisht atij rajoni, nënkalimi në rrugën shumë të rrezikshme që dërgon për në Kodrën e Trimave ishte i mbushur me fekale dhe krejt jofunksional për të ndihmuar nxënësit dhe prindërit për të kaluar rrugën.

Këto vendime nuk merren ad hoc, pa i përgatitur prindërit (të cilëve u ndërron krejt bioritmi i zakonshëm me këtë veprim arbitrar) dhe pa u konsultuar me ta. I pabesueshëm sesa shpejt pushteti mund t’i tjetërsojë pushtetarët," ka shkruar Murati, në Facebook.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat