Rrezikohet ushqimi i studentëve: Qendra humb 500 mijë euro nga zbritja e taksave për ta

Lajme

Rrezikohet ushqimi i studentëve: Qendra humb 500 mijë euro nga zbritja e taksave për ta

Më: 2 shtator 2014 Në ora: 10:24

Qendra e Studentëve në Prishtinë do t’i ketë 500 mijë euro më pak nga buxheti vjetor për shkak të vendimit të kryeministrit për zbritjen e pagesave për studentë prej 50 për qind. Drejtori i Qendrës së Studentëve (QS) në Prishtinë, Fatmir Sfishta, ka thënë për KosovaPress se kjo qendër nuk ka mundësi të funksionoj pa këto mjete.
Në një intervistë për KosovaPress-in, Sfishta ka folur edhe për konkursin për pranin të banorëve në konviktet e QS-së, i cili ka thënë se pritet të hapet më 4 shtator, si dhe për kushtet të cilët i ofron kjo qendër nga fillimi i vitit të ri akademik.

“Neve edhe ashtu kur ka qenë çmimi 40 euro për fjetje dhe 30 euro për ushqim, studentët nuk e kanë paguar as 50 për qind të asaj që e kanë shfrytëzuar nga ana e studentëve. Me përgjysmimin e çmimit sigurisht që edhe të hyrat neve na përgjysmohen, mirëpo ne me rastin e marrjes së këtij vendimi na është premtuar dhe kemi qenë në konsulta të ngushta edhe me Ministrinë e Arsimit edhe me Ministrinë e Financave, na është premtuar se me rastin e rishikimit të buxhetit, neve do të na kompensohet kjo, ky zvogëlim i të hyrave në mënyrë që QS të funksionoj në formë të rregullt dhe në mënyrë të rregullt. Mendoj që tash me problemet që i ka Kosova me ndërtimin e institucioneve edhe nëse nuk do të ketë rishikim të buxhetit, atëherë në bashkëpunim me sekretarin e Ministrisë së Arsimit dhe stafin tjetër, kabinetin e ministrit, do të mundohemi që të bëjmë bartje brenda për brenda Ministrisë së Arsimit sepse edhe unë edhe ata e dinë që ndjeshmëria është shumë e madhe me këtë institucion dhe nuk guxon të ketë krizë financiare”, ka thënë ai.

Sipas Sfishtës, Qendra e Studentëve në bazë të planifikimeve vjetore i ka që në fillim të vitit, 2 milionë e 100 mijë euro grant qeveritar dhe rreth 2 milionë të hyra nga pagesat e studentëve.

Mirëpo, për shkak të zbritjes së tarifave për studentë nga maji i këtij viti, tani QS i ka rreth 500 mijë euro më pak të hyra, të cilat Sfishta shpreson se do të kompensohen me rishikim të buxhetit apo ndonjë alternativë tjetër.

Megjithatë, Qendra e Studentëve në Prishtinë i ka bërë përgatitjet për hapjen e konkursit për pranim të banorëve studentë në konviktet e saj për vitin e ri akademik.

“Konkursi do të hapet në javën e parë në shtator, do të rri konkursi i hapur në mënyrë që të kenë mundësi studentët që të aplikojnë, diku 10 ditë, pastaj bëhet vlerësimi i atyre aplikacioneve, për njoftim tuajin dhe të opinionit nuk aplikohet për mensë, për t’u ushqyer por çdo student i cili pranohet në konvikte ka të drejtë të ushqehet në mesë. Mendoj që ky proces do të kaloj mirë, kriteret kryesisht janë të njëjta, sivjet kemi menduar që t’i përforcojmë kriteret te nota mesatare në mënyrë që studentët që kanë notë të lartë mesatare t’u japim përparësi në pranim, mendoj që do të ketë efekt pozitiv ky ndryshim i kritereve”, ka thënë ai.

Ndërsa, ushqyesit e mensës të cilët nuk do të jenë banorë të konvikteve, sipas drejtorit Sfishta, mund të aplikojnë nga 1 deri më 15 tetor dhe të bëhen anëtarë të kësaj kuzhine.

Për një gjë të tillë studentët vetëm duhet të konfirmojnë se janë studentë të UP-së dhe ta bëjnë pagesën.

Qendra e Studentëve për vitin e ri akademik i ka bërë edhe disa përgatitje në përmirësimin e infrastrukturës siç është gëlqerosja e 3 konvikteve dhe furnizimi i tyre me inventarë shtesë.

“Përpos që 3 konvikte komplet gëlqerosen nga brenda dhe pjesët hapësirat tjera dhe intervenimet që janë bërë në stabilimente të mensës, sivjet kemi planifikuar dhe është duke vazhduar furnizimi me inventar të brendshëm për 3 konviktet e meshkujve që kanë qenë, konviktin 1, 2 dhe 4 thuajse komplet me shtretër, dyshekë dhe ormanë, inventar tjetër i nevojshëm. Janë bërë edhe përgatitjet në stabilimentet ku edhe ankesat kanë qenë vitet e kaluara, në stabilimentet për ngrohen e ujit, për nevoja higjienike të studentëve, mendoj që do ta zbusim këtë problem, jo që do ta eliminojmë mirëpo do ta zbusim në masë të madhe. Unë mendoj që ne do të jemi të gatshëm t’i presim studentët e rinj”, ka theksuar ai.

Qendra e Studentëve në kryeqytet ka kapacitet prej 3 mijë e 600 shtretërve, kurse mensa ka kapacitet që t’i ushqej 4 mijë studentë në ditë apo 8 mijë shujta brenda ditës në dy vakte.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat