Haliti: Do të funksiononte një qeveri PDK-VV

Lajme

Haliti: Do të funksiononte një qeveri PDK-VV

Më: 1 shtator 2014 Në ora: 21:45

Xhavit Haliti nuk e ka përjashtuar mundësinë që të negociojnë me Vetëvendosjen për krijimin e një qeverie.

Sipas tij, kjo do të mund të ndodh në rast se dështon bashkëpunimi i mundshëm me partitë e bllokut.

Haliti thotë se “diçka ka funksionu dikur në mes të Thaçit dhe Albin Kurtit, prandaj do të mund të funksiononte një qeveri PDK- VV”.

“Kurti e Thaçi janë kundërshtar të mëdhenj politikë në vend. Në qoftë se kthehemi në retrospektivë, që të dy këta më parë kanë pasur raporte edhe në politikat e atëhershme të UÇK-së”, tha Halitinë emisionin "Zona B" të Klan Kosova, duke thënë se kjo do të arrihej me dialog.

“Nuk është e zorshme që edhe VV të jetë pjesë e një qeverisje të përbashkët. Unë besoj se Albin Kurti nuk është më patriot se Hashim Thaçi”, tha ai.
Haliti thotë se shpreson që do të merret një nismë nga dikush që të zhbllokohet gjendja politike në vend.

Ai ka thënë se edhe Presidentja mund të ndërmarr një nismë që të ftohen partitë politike në bisedime e të dilet nga ky ngërç politik.

"I kisha lutë që dikush të merr nismën, qoftë edhe Presidentja dhe të ulemi qoftë si parti politike qoftë si grupe parlamentare me qëllim që të gjejmë një zgjidhje. Nuk është mirë që të mbesim të bllokuar", tha Haliti .

Ai ka thënë sërish se ka pasur takime mes përfaqësuesve të PDK-së dhe të gjitha partive tjera.

"Ata nganjëherë thonë se me PDK-në nuk duam të bisedojmë dhe në fakt ne takohemi edhe me deputetë të LDK-së edhe me titullarë të partive dhe unë mendoj se jemi miq para se të jemi kundërshtarë politik. Edhe në tavolina edhe në biseda spontane mund të them se bisedojmë", ka thënë ai.

Për vendimin e Kushtetueses, Haliti thotë se ka shpresuar se ai do t'i hapte rrugën zhbllokimit të situatës politike.

"Kam menduar se Gjykata Kushtetuese do t'i definojë gjërat pak më mirë dhe deputetëve do t'u krijohet një mundësi ose do t'u pamundësohet të krijohet ngërç. Tani situata është e tillë që ka një ngërç dhe pa vullnetin e grupeve parlamentare, partive politike dhe liderëve është e vështirë të dilet nga kjo situatë", ka thënë Haliti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat