Jahjaga: Kosovës i duhet arsim cilësor

Lajme

Jahjaga: Kosovës i duhet arsim cilësor

Më: 1 shtator 2014 Në ora: 12:25

Kosovës i duhet një arsim më cilësor, me një sistem të reformuar të arsimit dhe me përgatitje profesionale për mësimdhënie. Duhet gjithashtu angazhim i plotë i të gjitha institucioneve tona për të ofruar një sistem të drejtë të arsimit, që do t’u mundësojë fëmijëve tanë një shkollim sa më cilësor. Arsimi është bazë e ndërtimit të shoqërisë, themel i fuqishëm i së ardhmes së vendit tonë dhe i zhvillimit të përgjithshëm të tij.

Kështu thotë Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga me rastin e fillimit të vitit të ri shkollo 2014/2015.

Duke uruar të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit ajo thotë se ky vit duhet të shënojë kthesën e madhe për ndryshim në sistemin e arsimit, një kthesë që do të ndihmojë edhe nxënësin, edhe mësuesit, edhe prindërit për ta ndërtuar një të ardhme të bazuar në dije që do të ndryshojë të tashmen tonë.

“Reforma në arsim është domosdoshmëri sepse do të mbajë fëmijët dhe rininë tonë brenda vendit, të cilët me kontributin e tyre do ta ndihmojë shtetin e tyre”, thotë Jahjaga.

Një urim të veçantë, ajo e bënë për të gjithë nxënësit që sot ulen për herë të parë në bankat shkollore, duke nisur një kapitull të ri e shumë të rëndësishëm në jetën e tyre, që nga sot të mbushur me sfida e kërkesa për dije e zhvillim të ri.

Jahjaga duke uruar për një nismë të mbarë dhe një vit kthese e suksesi të gjithmbarshëm, shpreson se ky vit shkollor do ti gjejë të gjithëve me angazhim dhe me rezultate më të mëdha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat